Pak ditë më parë Alban Ramosaj shkroi në një status në Instastory se ka shumë gjëra për të thënë. Deklarata e tij ngriti pikëpyetje tek të gjithë se për çfarë bëhet fjale, madje pati aludime se ai mund të fliste rreth situatës së krijuar në “Big Brother VIP” dhe gjendjes së të motrës.
Por, këngëtari ka vendosur edhe një herë t’i rrijë larg kësaj pjese dhe ka dashur të flasë për jetën e tij sentimentale. Ai ka publikuar këngën e tij të re të titulluar “Love Letter (N’Tiranë prej Berlini)”, e cila është konceptuar në formën e dërgimit të një letre. Albani i shkruan “të marrës së tij” një letër ku shpreh gjithë pendimin për dashurinë dhe kohën e dhënë.
”Ti m’the Nëse m’don, me mirë harrom Po unë sun pe boj, unë sun po t’lshoj Nëse m’don, më mirë harrom Po sun pe boj, oh sun po-“, thuhet në refren.
Kënga është e zhanrit R&B dhe vjen e gërshetuar në tri gjuhë: anglisht, gjermanisht dhe shqip. Muzika dhe teksti janë realizuar nga vet Albani, gjersa orkestrimi është kryer nga producenti Marko Polo.
“Love Letter (N’Tiranë prej Berlini)” vjen pas këngës shumë të suksesshme, “Theje”, me të cilën ai mori pjesë në Festivalin e RTSH-së ku fitoi vendin e dytë.