Gjykata Kushtetuese shpall vendimin për Metën: Do të vijojë të jetë president deri në Korrik

Gjykata Kushtetuese ka shpallur vendimin për presidentin.

Meta do të qëndrojë në detyrë deri në Korrik të 2022-shit, kur i mbaron edhe mandati.

Advertisement

Kuvendi i Shqipërisë votoi për shkarkimin e Ilir Metës me argumentin e “shkeljes së rende të Kushtetutës” dhe ndërhyrje në procesin zgjedhor për të cilat Gjykata Kushtetuese argumenton si më poshtë:

“Në lidhje me shkaqet për të cilat Kuvendi ka vendosur shkarkimin e Presidentit, Gjykata Kushtetuese, pasi përcaktoi elementet objektive të “shkeljes së rëndë të Kushtetutës” të parashikuar në nenin 90, pika 2, të Kushtetutës, si dhe vlerësoi kërkesën e nenit 90, pika 3, të Kushtetutës për të vërtetuar fajësinë e Presidentit, arriti në përfundimin se:

1. Faktet e paraqitura si shkelje të nenit 86, pika 1, dhe nenit 89 të Kushtetutës, nuk përbëjnë shkelje të rënda të Kushtetutës.

2. Nuk ka shkelje të rëndë të nenit 88, pika 3, të Kushtetutës, pasi:

– Faktet që lidhen me të drejtat në procesin zgjedhor nuk përbëjnë shkelje të rënda të Kushtetutës.

– Faktet që lidhen me marrëdhëniet me partnerët strategjikë nuk përbëjnë shkelje të Kushtetutës.

– Faktet e paraqitura si shkelje që lidhen me pavarësinë e organeve publike nuk përbëjnë shkelje të Kushtetutës.

– Faktet e paraqitura si shkelje të rendit dhe sigurisë publike nuk përbëjnë shkelje të Kushtetutës.

3. Faktet e paraqitura si shkelje të nenit 94 të Kushtetutës nuk përbëjnë shkelje të Kushtetutës.”

Nga seanca e fundit, Gjykata Kushtetuese kishte 30 ditë kohë për të marrë vendimin, të cilin e ka shpallur brenda afatit.