Fotografitë e tij zënë kopertinat e revistave të mëdha si “L’Officiel Hommes”, “Esquire”, “Velvet”, por në Shqipëri pakkush e njeh. Thuajse i takon asaj shtrese të nëntokës ku meditojnë të gjithë njerëzit e suksesshëm, sidomos ata që ruhen të mos preken nga rrezet e diellit të famës së tepruar, por padiskutim, pavarësisht moshës së re, Rajan Simo është fotografi më i suksesshëm shqiptar i ditëve të sotme.
Gjithsesi, suksesi ndërkombëtar i Rajanit nuk është matësi kryesor vlerës së tij si artist, pasi që vlera e Rajanit shihet në vetë fotografinë e tij, si vepër që flet, pavarësisht nëse publikohet në një revistë të madhe apo thjesht në instagram. Mënyra si e trajton dritën, zbërthimi i kontrasteve, hijezimi i ngjyrave, kapja e çastit kur subjekti i fotografisë është brenda një cikli vibrant të energjisë, janë vetëm disa nga detajet që, në vlerësimin tim modest, Rajanin e vendosin shumë larg para pjesës më të madhe të kolegëve të tij shqiptarë, përfshirë edhe ata që konsiderohen të famshëm.

Advertisement