Një show i paharrueshëm: Ç’ndodhi në koncertin historik të Elvana Gjatës?

Elvana Gjata, artistja e dy dekadave të fundit, mbajti koncertin e saj të shumpritur, “Dekada”, dje në Air Albania Stadium, duke shënuar një moment historik në karrierën e saj.

Koncerti, i cili dhuroi një super shfaqje përmes risive të teknologjisë, performancave fantastike të Elvanës dhe elementëve nostalgjikë, mrekulloi audiencën dhe vendosi të tjera standarde për koncertet e ardhshme.

Advertisement

Koncerti ishte një spektakël vizualisht i paparë. Skenografia ishte “stolisur” me inovacionet e fundit të teknologjisë, duke përfshirë edhe byzylykë për çdo të pranishëm, që sinkronizoheshin me dritat e skenës dhe krijonin një shfaqje magjepsëse me ngjyra.

Elvana hapi koncertin me “Kudo që jam” dhe më vonë falenderoi çdo kompozitor dhe producent që ka besuar dhe ka kontribuar në rrugëtimin e saj në industrinë e muzikës përgjatë dy dekadave.

Këngëtarja jo vetëm që mahniti audiencën me aftësitë teknike, por edhe kënaqi fansat besnikë përmes një programi që përfshinte edhe këngët më të vjetra, si “Mamës”, “Lejla”, “Me ty”, “Afër dhe larg”, “Puthe” etj., një mënyrë pë t’ië bërë homazh rrënjëve të saj muzikore.

Në skenë, Elvanës iu bashkuan emra si MC Kresha, Capital T, Ledri Vula, Dhurata Dora, Noizy, Yll Limani, Bardhi dhe DJ Dimmi-O. Përpos tyre, Elvana këndoi me të motrën, Migenën, bashkëpunimin e tyre “Vendi im”. Kjo ishte hera e parë që dy motrat ndanin skenën në një koncert të të tilla përmasave; sinergjia mes tyre emocionoi publikun.

Koncerti mori një kthesë të papritur kur një djalë i guximshëm zgjodhi t’i propozonte për martesë të dashurës. Para mijëra njerëzve, pak para se Elvana të performonte këngën “Si na”, e cila është kthyer në një hit mes të dashuruarve, ai u ul në gjunjë. Turma shpërtheu nga emocionet kur ajo tha “Po, pranoj!”.

Teksa koncerti arriti kulmin, Elvana Gjata e mbylli mbrëmjen me dy këngë të fuqishme që elektrizuan të gjithë stadiumin. Fillimisht këndoi këngën legjendare “Ani mori nuse” dhe më pas “Kuq e zi je ti”, dy këngë që ngritën peshë stadiumin.

“Faleminderit nga zemra! Ma keni dhënë dhënë sot aq shumë forcë e dashuri, që do ta kujtoj gjithë jetën. Këtë koncert ia dedikoj gruas shqiptare, por në veçanti vajzave më të vogla që janë duke nisur rrugëtimin e tyre. Mos u dorëzoni kurrë, asgjë nuk mund ta ndalë forcën tuaj dhe punën e palodhshme! Jeni e ardhmja! Ju dua.” – tha ajo pas koncertit.

Koncerti i shumëpritur i Elvana Gjatës rezultoi një ngjarje historike, pasi jo vetëm që vendosi standarde të reja për performancat e ardhshme, por forcoi edhe njëherë pozicionin e saj si superstar-i i dy dekadave.