Një mundësi e dytë

Thuhet se Catherine Zeta-Jones është e gatshme për t’i dhënë një tjetër shans martesës me Michael Douglas. Pas krizës së kësaj vere, aktorja e ka pranuar sërish bashkëshortin në shtëpinë e tyre në New York dhe duket e vendosur që të rivendosë raportet me të. “Douglas i kërkoi Zeta-Jones që t’i jepte një tjetër mundësi martesës. Ajo pranoi dhe këtë nuk e ka bërë vetëm për të mirën e fëmijëve. Kur janë në humor të mirë ja kalojnë shumë mirë bashkë, ndaj i lanë mënjanë luftërat dhe po përpiqen që të zgjidhin problemet e brendshme. Ky është një lajm i bukur dhe Zeta-Jones është e lumtur për këtë ribashkim me të shoqin”,- ka thënë një burim për gazetën britanike The Sun.

Në muajin Gusht, pas 13 vitesh martesë, dy yjet e kinemasë kishin shprehur dëshirën për t’u ndarë, por Douglas gjithnjë kish deklaruar se nuk dëshironte të divorcohej nga bashkëshortja. “Catherine është një grua madhështore. I fola sot dhe ishte e adhurueshme dhe e dashur me mua. Shpresoj dhe besoj që do të gjejmë një zgjidhje. Ritheksoj se thjesht kemi marrë një periudhë pushimi, është një çështje mes nesh. Ka disa momente të vështira në çift që duhen kaluar”,- kish deklaruar asokohe aktori për Access Hollywood.

Advertisement

Zërat e parë për një ribashkim mes tyre filluan të qarkullonin pikërisht këtë fundjavë kur Zeta-Jones u shfaq në një darkë gala në New York me unazën e martesës në gisht. Thuhet se ajo dhe i shoqi kanë festuar bashkë ditëlindjet respektive (që bien në të njëjtën ditë, 25 shtator).