Një libër për të mos u humbur!

Së pari, nëpërmjet kuptimit historik të teorisë politike, do të parashtrohen idetë e konceptimet kryesore politike të autorëve më me ndikim që prej antikitetit e deri në shekullin XX. Ndërkohë që qasja e dytë, e cila do të rrjedhë nën shtratin kryesor ligjërimor, do të rreket ta kuptojë historinë e mendimit politik jo thjesht si njëpasnjëshmëri kronologjike autorësh e teorish, por nëpërmjet kontekstualizimit e krahasimit, të kërkojë fijen e hollë ndërlidhëse dhe evolucionare politike midis mendimtarëve dhe epokave.

Botëkuptimet dhe teoritë politike të analizuara në kapitujt në vijim mund të ndahen historikisht në tre periudha; antikitet, mesjetë dhe modernitet, ku përpjekja kuptimore e këtij të fundit, jo vetëm për arsye të ndikimit konkret në bashkëkohësi, por edhe si hapësirë mjaft më e gjerë e plurale mendimi, do të zërë vendin kryesor.

Advertisement

Në këtë mënyrë, historia e mendimit politik mund të kuptohet si ndeshje midis qasjeve që theksojnë lirinë njerëzore, në krejt hapësirën e gjerë të kuptimeve të saj, përkundër atyre që përpiqen në një kuptim ta kontekstualizojnë shoqërisht, e në tjetrin ta zhveshin nga pushteti dhe t’ia nënshtrojnë strukturave hierarkike. Pra është historia e rezistencës, arsyeshmërisë dhe fuqizimit njerëzor përkundër pozicionimit të tij brenda shoqërive, të tërave apo shteteve që atë e kuptojnë si mjet e jo si qëllim.