Një ish-guvernator i Shtetit të Tamaulipas në Meksikë u arrestua në Itali për përfshirje të dyshuar në pastrimin e parave të drogës, sipas një komunikate të zyrës së prokurorit të përgjithshëm në Meksiko.
“Lokalizimi dhe ndalimi i Tomas Jesus Yarrington Ruvalcaba në Itali u bë dje”, vijon komunikata.
Tomas Yarrington, në krye të shtetit të Tamaulipas, në kufi me SHBA-në, në vitet 1999 dhe 2005, ishte në kërkim që prej pesë vitesh.
Ai u bë objekt i një mandat arresti meksikan lëshuar në vitin 2012 për lidhjet e dyshuaar me trafikun e drogës, pas informacioneve të ardhura nga SHBA-ja në maj të vitit 2012 për rreth shtatë milionë dollarë blerje të pasurive të patundshme që u bënë në Teksas.
Avokati i tij amerikan i hodhi poshtë këto akuza në atë kohë duke siguruar se klienti i tij ishte bërë objekt i një sulmi politik.