Një agjenci italiane udhëtimesh në Trapani, në perëndim të Siçilisë, pati idenë që të organizojë një “mafia tour” me vizita në shumë vende të lidhura me këtë organizim kriminal duke ngjallur protestë nga autoritetet lokale.
“Mafia Tour = Antimafia Tour”, shkruan pronari i agjencisë, Gianni Grillo, në faqen e tij të internetit për të zbehur polemikat, por më kot.
“Është çmenduri, një ofendim për gjithë qytetin”, deklaroi kryetari i bashkisë së Trapanit, Vito Damiano, që kërkoi mbylljen e faqes “Easy Trapani” që organizon këto udhëtime, sipas të përditshmes “La Repubblica”.
Pronari i agjencisë është përgjigjur në faqen e tij se “ne ndjejmë detyrën të informojmë dhe kërkojmë të vërtetën, të vëmë në dijeni ata që vizitojnë Siçilinë se çfarë është mafia në të vërtetë dhe përse ‘Mafia Tour’ është një veprim kundër mafias”.
“Mafia vret, edhe heshtja vret”, shton “Easy Trapani”, duke cituar gazetarin dhe poetin italian Peppino Impastato, që kishte lindur në një familje mafioze dhe i vrarë nga mafia në moshën 30 vjeçare, në vitin 1978, sepse nuk ndali asnjëherë se e denoncuari.
“Mafia Tour” është e organizuar në një gjysmë dite ose një ditë të plotë dhe përfshin një vizitë të detyrueshme në muzeun e mafias në Salemi, një komunë rreth 20 kilometra në junglindje të Trapanit.