Tridhjetë e tetë punonjës të rinj të administratës publike, fitues të konkursit për pranimet në administratë ndanë eksperiencat e tyre nga ky proces, gjatë një takimi në Sallën e Hartave në Kryeministri, me Kryeministrin Edi Rama, Ministren e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike Milena Harito dhe Drejtoren e Departamentit të Administratës Publike Albana Koçiu.
Këtë vit, procesi i rekrutimit në administratën publike pësoi ndryshime thelbësore si nga pikëpamja e standardeve dhe kritereve të reja të pranimit, ashtu edhe të organizimit ku për herë të parë u zbatua edhe aplikimi online. Kryeministri Edi Rama tha se rekrutimet në administratën publike kanë sot në themel konkurencën dhe meritën. Rama tha se ky është një proces shumë i vështirë, por që mund të çelë një faqe të panjohur më parë për administratën, duke vendosur në themel të rekrutimeve konkurencën dhe meritën. “Ndonëse procesi është larg së qëni i përsosur, siç e dëshmoni ju, ai është një proces që ka një potencial shumë të madh transformues, jo vetëm për administratën, por dhe për mendësinë tonë në raport me shtetin dhe punën”, iu drejtua kryeministri nëpunësve më të rinj. Ligji që ka hyrë në fuqi, shtoi ai, bie ndesh në mënyrë radikale me traditën, mendësinë dhe zakonet tona, pasi është një ligj europian, që na sfidon të gjithëve. Sipas kryeministrit, testimet brenda administratës do të shërbejnë si një instrument për të mos lejuar që struktura e re ligjore për nëpunësit e shtetit të kthehet në një jorgan për të mbuluar të paaftët. Ai e vuri theksin tek përgjegjshmëria në detyrë e nëpunësve të administratës, ku në jo pak raste biznesi dhe qytetarët dëmtohen rëndë pasi administrata publike nuk i përgjigjet në kohë reale. Për këtë, tha kreu i qeverisë, do të bëhen zgjidhjet e nevojshme, duke iu drejtuar parlamentit për përfshirjen në ligj të përgjegjësisë në punë nga punonjësit e administratës. Ministrja Harito i cilësoi dëshmitarët e parë të një momenti historik për administratën shqiptare. “Jeni të parët që hyni në administratë me një kompeticion të fortë. Jeni 38 vetë nga 5200 që synonin të hynin në administratë. Ky është një moment realisht historik për Shqipërinë. Kjo është një fytyrë komplet e re për administratën shqiptare, për arsye të standardeve të reja që vendosëm për kriteret hyrëse,” – u shpreh ministrja Harito. Drejtorja e Departamentit të Administratës Publike Albana Koçiu, ndërsa e vlerësoi aplikimin online dhe procedurën e re të konkurrimit si të suksesshme, informoi se procesi i rekrutimit në administratën publike vazhdon dhe aktualisht, DAP ka hapur procedurat për 145 vende të reja në administratë, për të cilat ka 7 mijë aplikantë. Fituesit e konkurseve rrëfyen disa nga përvojat e tyre në procesin e rekrutimit. “Aplikova me shpresën se do të fitoja, por dua të jem e sinqertë se kisha një farë mosbesimi si do organizohej dhe si do bëheshin vlerësimet. U regjistrova në dy konkurse. Në konkursin e parë hyra dhe pashë mënyrën si organizohej, si ishin pyetjet, mora një informacion të përgjithshëm për gjithë procedurën. E dija pak a shumë se çfarë kisha bërë gabim dhe kur pashë mënyrën e vlerësimit, thashë konkursi është i vërtetë, nuk ka shmangie nga procedura e duhur. U futa në konkursin e dytë dhe aty fitova pikët që më nxori fituese,” – tha një e re, e cila në bazë të rezultateve të konkursit ka fituar një ndër pozicionet në konkurrim, në Ministrin e Zhvillimit Urban dhe Turizmit. Ndërsa një specialist i IT-së në Ministrinë e Financave, duke sjellë përjetimet e tij, u shpreh se në fillim ishte ndër ata të shumtë, mosbesues për këto konkurse. “Ato kanë qenë të tilla që merita nuk shkonte tek fituesit. Unë e përjetova eksperiencën vetë dhe pashë që procesi ishte shumë transparent, vlerësimi sipas meritës dhe jam këtu për t’ju thënë se ky institucion është reformuar totalisht,” – u shpreh ai. “Edhe unë isha një tjetër skeptike në fillim”, – e nisi rrëfimin një tjetër specialiste në Teknologjinë e Informacionit. “Por më iku ky skepticizëm pasi mora rezultatet e provimit dhe pasi bëra intervistën me gojë. Ju falenderoj shumë për këtë mundësi që na dhatë.” “Ndjehem shumë e privilegjuar që mora vlerësimin e duhur. I bëj thirrje të gjithëve që të aplikojnë dhe të kenë besim tek këto struktura se shembulli real jemi ne këtu sot,” – u shpreh një tjetër fitues. Një dëshmi interesante ishte ajo një zonjë, e cila rrëfeu se fillimisht ishte në dilemë nëse duhej të aplikonte mes shumë të rinjve, por pasi u rendit e para në listën e fituesve, sot e quan kurorëzim të një përpjekjeje shumëvjeçare dhe gati të pabesueshme, mundësinë që iu dha për të zgjedhur vetë vendin e saj të punës midis 4 ministrive. Sot, prezencën e saj në punë, ajo e cilëson një kombinim i suksesshëm i eksperiencës me energjinë e të rinjve.