Nis misioni i shpëtimit për fëmijët e bllokuar në shpellë në Tajlandë

Në Tajlandë ka nisur misioni për shpëtimin e 12 futbollistëve të vegjël dhe trajnerit të tyre, të bllokuar në një shpellë prej dy javësh tashmë.

Ekipet e shpëtimit hynë në shpellë në orën 10 me atë lokale (5 të mëngjesit), ndërkohë që në hyrjen e saj kanë mbetur vetëm ekipet e zhytjes, mjekët dhe forcat e sigurisë.

Advertisement

Djemtë ishin duke eksploruar shpellën më 23 qershor, kur u detyruan të mbeteshin aty të bllokuar si pasojë e vërshimit të ujërave brenda saj. Tashmë, 13 zhytës të huaj dhe 5 nga Marina e Tajlandës janë përfshirë në këtë mision të vështirë.
Sipas parashikimeve, nëse gjithçka shkon mirë, i pari që do të dalë nga shpella mund ta bëjë këtë në orën 21 të mbrëmjes, me atë lokale (16 me tonën), ndërkohë që mendohet që operacioni të zgjasë të paktën disa ditë. Për planin e shpëtimit janë informuar si grupi i djemve të bllokuar, ashtu dhe familjarët e tyre.

Ende mbetet e paqartë sesi do të zhvendosen djemtë e bllokuar, por gjasat janë që në këtë udhëtim për të dalë sërish në dritën e diellit atyre do t’iu duhet të zhyten në disa raste, e në disa të tjera ku niveli i ujërave lejon, të mund të ecin.