Ka nisur sot lirimi i të amnistuarve nga të gjitha burgjet e Shqipërisë. Ndërsa vijon normalisht procesi i lirimit të të amnistuarve, Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani, ishte i sot pranishëm te Burgu “Ali Demi” në Tiranë ku janë liruar 10 gra te denuara.
Me lule në duar ministri Manjani ka takuar gratë e liruara dhe u ka shprehur mbështetje për t’u riintegruar në jetën jashtë qelisë. “10 familje shqiptare do të jenë më të lumtura. Shoqëria duhet të jetë gati t’i mirëprese ish të dënuarit”, është shprehur Manjani ndërsa ka shtuar se është gati të nënshkruajë rekomandime pozitive për të liruarit nga ky ligj. “Më vjen keq që të sëmurët nuk përfituan”, vijoi kreu i ministrisë së drejtësisë.
Ditën e sotme janë hapur dyert e burgjeve për ata që kanë fituar lirinë falë amnistisë. Janë në total 731 të burgosur që përfitojnë nga amnistia e iniciuar nga Ministria e Drejtësisë. Ashtu sikurse ishte parashikuar në aktin e miratuar nga Parlamenti në fund të dhjetorit të shkuar, zbatimi i amnistisë do të niste në mesin e muajit janar.
Numri më i madh i të burgosurve që do të lirohen:
Nga burgu i Fierit do të lirohen 150 të dënuar
Nga burgu i Peqinit do të lirohen 131 persona
Nga burgu i Lezhës do të lirohen 117 të dënuar
Nga burgu i Rrogozhinës do të lirohen 110 të dënuar
Nga burgu “Ali Demi” në Tiranë do të përfitojnë 9 gra të burgosura
Nga burgu 313 në Tiranë do të lirohen 7 të burgosur
Nga burgu 302 do të lirohen 4 të burgosur