Nikolla: Eksperienca italiane në shërbimet universitare do të rrisë cilësinë

Foto Arkiv

Në kuadër të bashkëpunimit mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane në fushën e arsimit, u zhvillua konferenca “Reforma e arsimit të lartë në Shqipëri: Realizimi i shërbimeve universitare – Eksperienca dhe modeli italian”.

Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, gjatë fjalës së saj tha se “ministria e Arsimit si dhe qeveria shqiptare, me vizionin dhe qëndrimin e palëkundur në drejtim të sigurimit të cilësisë e shikon këtë projekt si një premisë shumë të mirë, për rritjen e cilësisë në arsim”.

Advertisement

Më tej, ajo vuri në dukje avantazhet që ofron ky shërbim, që në të ardhmen do të mundësojnë shërbime edhe më cilësore. “Kjo ëshë një garanci që të gjitha institucionet e arsimit të lartë privat e shtetëror, të jenë pjesë e këtij shërbimi të rëndësishëm”, tha ministrja.

Sipas ministres Nikolla, ky lloj shërbimi do të shërbejë si një mënyrë për të komunikuar universitetet me njëra- tjetrën nëpërmjet të dhënave.

Po ashtu, ajo foli për krijimin e qendrës ndëruniversitare. “Qendra ndëruniversitare mund të shërbejë edhe si urë lidhëse nëpërmjet arsimit parauniversitar dhe atij universitar, hapi i parë i së cilës, u bë i mundur në muajjin tetor, përmes realizimit online të testimit të gjithë nevojave të mësuesve të ciklit parauniversitar”, tha Nikolla.

Po ashtu, ajo tha se “qendra ndëruniversitare, përmes përthithjes së financimeve vendase dhe të huaja, do të zgjerojë gamën e shërbimeve të ofruara, mëse të nevojshme për universitetet dhe qëndrat e kërkimit shkencor. Ndërkaq, shërbimet e përbashkëta do të mundësojnë mirëmenaxhimin e financimeve dhe do të lehtësojnë menaxhimin e brendshëm të universiteteve”.

Nikolla tha se të gjitha shpjegimet e nevojshme për pedagogët, për mënyrën sesi do të funksionojë kjo qendër do të jepen në ditët në vijim.

Në këtë takim ishte i pranishëm ambasadori italian në vendin tonë, Alberto Cutillo, Drejtori i Kooperacionit italian për Zhvillim, Andrea Senatori, drejtues dhe ekspertë të CINECA-s Itali, si dhe përfaqësues nga të gjitha universitetet publike dhe private në vend.