Njëri prej analistëve dhe gazetarëve të njohur në vend, Mentor Kikia, ka komentuar lirimin e “të fortit” të Durrësit, Lulëzim Berisha, nga Gjykata e Shkallës së Parë të këtij rrethi.
Sipas Kikisë, fakti që gjykata liron persona të tillë do të thotë se ne kemi më shumë frikë nga drejtësia sesa nga vetë krimi.
“Njëri prej njerëzve më të fuqishëm të botës së krimit u lirua zyrtarisht nga burgu. Një arsye e fortë pse reforma në drejtësi është një nevojë emergjente, ulëritëse, në këtë vend. Një arsye e fortë që në këtë vend duhet të kemi më shumë frikë nga drejtësia sesa nga vetë krimi. Ndërsa shoqëria po përjeton një traumë kolektive dhe ku krimet depresive brenda familjes nuk po njohin limit për nga makabriteti, është vetë drejtësia që nxit frikën, mosbesimin, terrorin psikologjik dhe makthin në mesin e njerëzve. Çdo zvarritje e pastrimit të drejtësisë është një krim që i bëhet shoqërisë”,- shkruan Kikia.
Lulëzim Berisha u lirua nga Gjykata e Durrësit pas 20 vitesh burgim, kur i kishin mbetur edhe 5 të tjera, ndërkohë që më herët ishte refuzuar kërkesa e prokurorisë për burgim të përjetshëm për të.