Nëse bota i do pyjet, duhet të vendosë një çmim për karbonin e tyre

Më shumë pemë, përndryshe, mbjellja e më shumë pemëve nuk mund t’i ngadalësojë ndryshimet klimatike, shkruan The Economist. 

Udhëheqësit e vendeve mund të ngurrojnë për mbylljen e termocentraleve me qymyr, ose rritjen e çmimeve të benzinës, por gjithmonë kanë përqafuar një veprim ekologjik për të luftuar ndryshimet klimatike: mbjelljen e pemëve.

Advertisement

Pavarësisht pretendimeve se ndryshimi i klimës ishte një mashtrim, edhe vetë ish-presidenti Donald Trump, mbrojti një nismë për të mbjellë një trilion pemë. Ka arsye për të qenë skeptikë mbi paktin e shpallur në Samitin e klimës në Glasgow, për t’i dhënë fund shpyllëzimit, përpara se të përfundojë dekada.

Bota ka parë edhe më parë deklarata të tilla të ngjashme jodetyruese. Në vitin 2014, qeveritë, kompanitë dhe organizatat joqeveritare u zotuan të përgjysmojnë shpyllëzimin deri në vitin 2020 dhe t’i japin fund atij deri në vitin 2030, sipas deklaratës së Nju Jorkut për pyjet. Objektivi i parë nuk u arrit, dhe i dyti duket se nuk do të arrihet gjithashtu. E megjithatë, njoftimet e kësaj jave shënojnë një përmirësim të madh në krahasim me përpjekjet e mëparshme.

Këtë herë, marrëveshjen e kanë nënshkruar edhe Brazili me Indonezinë (por jo India). Shtetet kanë premtuar të grumbullojnë para për të mbrojtur dhe për të restauruar pyjet, duke përfshirë pellgun e Kongos, dhe kanë pranuar se njerëzit indigjenë mund të kujdesen vetë për pyjet ku jetojnë. Po aq i rëndësishëm është edhe angazhimi nga sektori privat, duke përfshirë institucionet e mëdha financiare, që janë zotuar për të “çrrënjosur” shpyllëzimin nga zinxhirët dhe portofolat e tyre të furnizimit.

Pyjet shërbejnë si “thithës” të karbonit, duke përthithur plot 7.6 miliardë ton dioksid karboni çdo vit. Prerja, djegia ose rrallimi i pemëve dhe degradimi i ekosistemeve përbën 11% të emetimeve globale. Pra, programet për mbjelljen dhe mbrojtjen e pyjeve do të jenë thelbësore në përmbushjen e objektivave të Marrëveshjes së Parisit për kufizimin e rritjes së temperaturave mesatare globale në 1.5°C dhe “nën 2°C” mbi nivelet para-industriale. Kjo tashmë ka çuar në një mori strategjish kombëtare dhe të korporatave, për të ulur emetimet neto përmes pyllëzimit, nga rivendosja e tokave torfike të pasura me karbon, deri te zhvillimi i agropylltarisë.

Nuk ka një sistem të përbashkët

Problemi është se botës i mungon një sistem i përbashkët dhe i arsyeshëm për vlerësimin e kontributit të pemëve në “sekuestrimin” e karbonit. Kjo është një enigmë me kompleksitet të madh. Në varësi të faktit nëse ajo do të zgjidhet dhe si do të zgjidhet, pemët mund të përfundojnë duke qenë ose pjesë e zgjidhjes së ngrohjes globale, ose pjesë e problemit.

Zgjidhjet dhe standardet e tanishme, si dhe standardet e reja për mbrojtjen ose mbjelljen e pemëve, janë pjesë e axhendës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Glasgow të Skocisë. Ndërsa palët në Marrëveshjen e Parisit mendojnë se si të arrijnë qëllimet që i kanë vendosur vetes, transparenca dhe llogaridhënia janë me rëndësi themelore.

Shumë vende e konsiderojnë pylltarinë thelbësore për të arritur emetimet zero. Kina dhe India kanë programe të mëdha për mbjelljen e pemëve. Rusia dëshiron të përfitojë nga fakti se është shtëpia e 20% të pyjeve të botës, për të kompensuar për emetimet e saj të gazrave serë. Butani, një nga vendet e pakta që pretendon në mënyrë të besueshme se ka arritur emetime neto zero, ka deklaruar se pyllëzimi ka luajtur një rol themelor në uljen e emetimeve. Mianmari është në një situatë të ngjashme.

Problemi kryesor është se cikli natyror i karbonit, ku pemët dhe bimët e tjera luajnë një rol themelor, po rrezikohet nga veprimtaria njerëzore. Ky cikël normalisht është i ngadaltë dhe me një natyrë vetërregulluese. Pemët përthithin CO2 nga atmosfera, më pas e kthejnë mbrapsht një pjesë të tij, kur dekompozohen ose digjen nga zjarret natyrore. Me kalimin e kohës, kjo sasi CO2 përthithet përsëri nga bimë të reja. Në mungesë të ndërhyrjes njerëzore, burimet dhe përthithësit e karbonit arrijnë një ekuilibër.

Njerëzit po i shtrembërojnë gjërat në dy mënyra. Shpyllëzimi dhe degradimi i pyjeve rrisin emetimet e gazrave serë, sepse ato përshpejtojnë çlirimin e karbonit të ruajtur, duke rrezikuar ekuilibrin. Ngrohja globale me 1.1-1.3°C që ka shtuar tashmë 2.5 trilionë tonë karbon në atmosferë, ka rritur edhe më tej emetimet: më shumë ngrohje, çon në më shumë dekompozime dhe zjarre.

Nga ana tjetër, duke qenë se më shumë dioksid karboni është futur në atmosferë nga lëndët djegëse fosile, bimët kanë më shumë burime karboni për të përthithur, duke rritur aftësinë përthithëse. Por ky nuk është një përfitim i mirëfilltë: sepse pemët që po migrojnë në veri në zonën e Arktikut falë këtij “fertilizimi me dioksid karboni”, po errësojnë tokën që më parë kishte qenë e mbuluar me dëborë dhe e bardhë. Tokat më të errëta thithin më shumë energji nga dielli, duke theksuar edhe më tepër ngrohjen e rajonit polar.

Të gjitha këto mënyra se si njerëzit ndikojnë mbi pyjet dhe mbi atmosferën në përgjithësi, janë jashtëzakonisht të koklavitura për t’u shkëputur nga njëra-tjetra, duke i bërë praktikisht të pamundura parashikimet se ç’do të kishte ndodhur në mungesë të tyre.

Sidoqoftë, ekzistojnë disa standarde dhe metoda. Shkencëtarët e pavarur dhe ekspertët e Konventës së Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike, kanë krijuar një stenografi për t’i ndihmuar vendet të matin sasinë e karbonit të lëshuar dhe të përthithur.

Në inventarin vjetor të gazit serë që vendet i dorëzojnë OKB-së, ndryshimet në emetimet në tokat e etiketuara si “të menaxhuara”, konsiderohen si antropogjene. Domethënia e termit “e menaxhuar” ndryshon sipas vendit; ajo mund të përfshijë gjithçka, nga kullotat në tokat e shpyllëzuara, deri tek pyjet e mbrojtura, të cilat, megjithëse nuk menaxhohen në mënyrë aktive, duhet të mbrohen nga zjarrfikësit nëse do të përfshiheshin nga zjarret. Pra, ndryshimet në emetime nga “tokat e menaxhuara” përfshijnë ciklin natyror të karbonit që nuk ndikohet drejtpërdrejt nga veprimtaria njerëzore.

Përveç paqartësisë mbi idenë se çfarë duhet të llogaritet si “emetime njerëzore”, ky sistem u lejon vendeve të kompensojnë për emetimet e tyre industriale, nëpërmjet pyjeve ekzistuese. Për shembull, inventari më i fundit i gazrave serë nga Mianmari, tregon se vendi lëshon 8 milionë tonë gazra serë çdo vit nga industria dhe djegia e lëndëve fosile, ndërsa pyjet e menaxhuara përthithin 96 milionë tonë karbon. Edhe pse vendi vazhdon të djegë lëndë fosile, ai mund të pretendojë se ka arritur neutralitetin e karbonit, sipas rregullave të sistemit të mësipërm të kontabilitetit.

Emetimet industriale të Mianmarit janë një pjesë e papërfillshme e totalit vjetor global prej 52 miliardë tonsh, kështu që ndryshimet në llogaritje nuk do të kishin shumë rëndësi. Por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Rusinë, emetuesin e katërt më të madh në botë.

Për vite me radhë, Rusia i ka konsideruar pyjet e saj të mëdha si elemente kryesore, në përpjekjet për të luftuar kundër ndryshimeve klimatike. Zotimi i Rusisë në marrëveshjen e Parisit deklaron se deri në vitin 2030, vendi do të reduktojë emetimet e tij me 70% në krahasim me nivelet e vitit 1990, “duke marrë parasysh kapacitetin maksimal përthithës të pyjeve dhe ekosistemeve të tjera”. Në vitin 2019, Rusia mund të pretendonte se pyjet e saj përthithnin ekuivalentin e 25% të emetimeve industriale të vendit.

Ky efekt është në rënie, pasi pemët e vjetra thithin sasi gjithnjë e më të vogla CO2. Sipas Ministrisë së Mjedisit dhe Burimeve Natyrore të Rusisë, efekti do të ulet në zero – duke përthithur po aq karbon sa lëshon – brenda katër dekadave. Prandaj ishte një shenjë e mirë kur vitin e kaluar, inventari i parë i pyjeve të Rusisë që nga mesi i viteve 1990, zbuloi se vëllimi i pyjeve të vendit ishte rritur me 25%.

Në fillim të këtij viti, një studim i pavarur i botuar në revistën Nature, llogariti se ky efekt thithës i karbonit, do të ishte 47% më i madh nga sa ishte parashikuar më parë. Pjesa më e madhe e kësaj, është falë rritjes natyrore, teksa pyjet zënë natyrshëm tokën bujqësore të braktisur, ose pemët shtohen drejt veriut. Rishikime të tilla kanë një vlerë prej disa qindra miliona tonë emetime të karbonit dhe me siguri do të vihen në dukje në inventarët e ardhshëm të Rusisë.

Për më tepër, qeveria ruse kohët e fundit njoftoi se do të përfshinte pyjet “rezervë” të pamenaxhuara, së bashku me pyjet e menaxhuara, në inventarin e gazrave serë. Kjo do të përmirësonte ndjeshëm raportet vjetore të Rusisë mbi klimën, duke llogaritur me qindra miliona ton CO2 si të përthithura nga pyjet.

Standardet e përbashkëta dhe të zbatueshme për matjen e kontributit të pemëve në emetimet kombëtare, do ta bënin më të lehtë krahasimin e përparimit të vendeve të ndryshme drejt objektivave klimatike. Por ekologët kanë paralajmëruar se kjo është e pamundur për shkak të mospërputhjeve midis inventarëve kombëtarë të gazrave serë dhe vlerësimeve të bëra nga shkencëtarë të pavarur. Duke qenë se inventarët zyrtarë të gazrave serë matin emetimet nga ekosistemet e “menaxhuara” dhe modelet globale të klimës përdorin një metodë tjetër, të dyja sistemet japin rezultate të ndryshme.

Sipas modeleve të klimës, masat tokësore të Tokës lëshojnë çdo vit rreth 5.5 miliardë tonë karbon më shumë sesa llogaritet nga inventarët. Asnjë metodë llogaritjeje nuk është e përsosur, thonë studiuesit, por për shkak se modelet e klimës përdoren për të përcaktuar rrugët drejt një klime të qëndrueshme dhe inventarët ndjekin përparimin gjatë këtyre rrugëve, është njëlloj sikur të krahasosh mollët me portokajtë.

Tregu i kompensimeve të karbonit

Përmirësimi i standardeve do të krijonte gjithashtu një bazë më të shëndoshë për tregun e kompensimeve të karbonit, një çelës për të mobilizuar sektorin privat në luftimin e ndryshimeve klimatike.

Për shembull, aktivistët në Brazil e shohin tregtinë globale të kredive të karbonit, të parashikuar në nenin 6 të Marrëveshjes së Parisit, si një element kyç për reduktimin e shpyllëzimit, që është edhe shkaku i gjysmës së emetimeve të Brazilit. Ata mendojnë se një treg global i karbonit do t’i kthente pyjet në një mall të tregtueshëm, duke e bërë tokën në Amazonë më të vlefshme me pemë, sesa pa to.

Por, për të qenë efikasë në stabilizimin e klimës, projektet që marrin “kredi karboni” për ndalimin e shpyllëzimit, ose promovimin e ripyllëzimit, duhet të jenë në gjendje të tregojnë se kanë shmangur emetime që përndryshe do të kishin ndodhur.

Në zhargonin e kompensimit mbi karbonin, kjo njihet si “shtesë”. Për shembull, është e mundur të merren kompensime për mbrojtjen e pemëve në shtetin amazonian Pará. Por pjesa dërmuese e tokës së atjeshme është tashmë e mbrojtur nga ligjet federale, kështu që nuk duhet marrë si bazë për kreditë e karbonit.

Kur bëhet fjalë për pyjet, tregu i kompensimit mbi karbonin nuk merr parasysh atë që njihet si qëndrueshmëri. Zëvendësimi i një autobusi me naftë me një autobus elektrik, do të eliminonte fare emetimet, por një terren pyjor mund të prishet ose të digjet në dekadën e ardhshme, apo edhe në javën e ardhshme. Si mund të sigurojë tregu që kompensimet të kenë efekte të qëndrueshme? Në Brazil dhe gjetiu, programet për ripyllëzimin ose mbjelljen e pyjeve të reja, kanë gjithashtu një problem anësor: mbrojtja e një pjese toke mund të nxisë shpyllëzimin diku tjetër.

Të gjitha këto probleme vlejnë për tregjet ekzistuese të karbonit. Një biletë ekonomike për një fluturim nga Londra në Nju Jork, gjeneron afërsisht 600 kg CO2; kompensimet për atë sasi karboni mund të blihen me pak dollarë përmes skemave komerciale të mbjelljes së pemëve. Kjo mund të lehtësojë ndërgjegjen e një udhëtari, por nuk dihet nëse do të mbronte klimën. Gjatë dy javëve të ardhshme, delegatët në COP26 do të përpiqen të arrijnë një marrëveshje për të siguruar qëndrueshmëri.

Kjo është diçka e mirë. Mbjellja e pemëve është gjithmonë diçka pozitive dhe mund të ndihmojë në ngadalësimin apo edhe frenimin e ndryshimeve klimatike. Por që kjo të ndodhë, udhëheqësit botërorë duhet të zbatojnë edhe masa të tjera, shumë më pak popullore, si heqja dorë nga përdorimi i lëndëve djegëse fosile dhe transformimi i bujqësisë.

Modelet klimatike tregojnë se ekosistemet do të ishin më efektive në përthithjen e CO2 nëse ngrohja mbetet brenda intervalit të objektivave të Marrëveshjes së Parisit. Nëse temperaturat rriten, siç duket se do të ndodhë, ekosistemet tropikale të pasura me karbon do të thahen, digjen dhe do të bëhen burime karboni dhe jo përthithës të tij. Pemët nuk mund ta zgjidhin krizën klimatike. Vetëm njerëzit mund ta bëjnë këtë./

Përktheu: Lira Muça