Në një vit për Qarkun e Dibrës më shumë se në tetë vitet e qeverisë së shkuar

Partia Socialiste ka reaguar nëpërmjet një deklarate për shtyp lidhur me vizitën e kreut të Partisë Demokratike në Dibër.

Deputeti Ulsi Manja u shpreh se ky qark është një prej më të varfërve në Republikë. “Për tetë vjet me radhë, nën qeverisjen e Sali Berishës dhe Partisë Demokratike të Lulzim Bashës, në qarkun e Dibrës nuk u krye asnjë investim i qenësishëm. Kjo është arsyeja pse sot qeveria e re duhet të përqendrohet edhe më shumë në këtë qark.” “Por le të flasim konkretisht për çështjet që parashtroi zoti Basha. Në bujqësi, janë financuar gjithsej 580 milionë lekë vetëm në një vit, nga të cilat kanë përfituar gjithsej 209 aplikantë, fermerë dhe bujq të qarkut Dibër. Në arsim, janë financuar 1,1 miliardë lekë për rikonstruktimin e shkollave në komunën Gjoricë, Lis, Xibër dhe Kala e Dodës, ndërkohë rreth 850 milionë lekë janë financuar për përfundimin e projekteve të nisura, por të lëna në mes, në bashkinë e Peshkopisë, komunën Suc, Trebisht, Derjan, Shupenzë, Ostren, Gurrë dhe Ulëz. Në infrastrukturë rrugore dhe ujësjellës janë investuar nga Fondi I Zhvillimit të Rajoneve dhe Fondi Shqiptar I Zhvillimit plotë 23 miliardë lekë, me synim jo vetëm ndërlidhjen e zonave të banuara me njëra tjetrën, por edhe promovimin e turizmit dhe lehtësimin e dërgesave të prodhimit bujqësor në tregje”, tha Manja. Ndërkohë, vijoi Manja, “dy fjalë edhe për filialin e mbyllur të Peshkopisë, Qarkut Dibër dhe më gjerë. Ishte një filial që me bekimin e qeverisë së Saliut dhe të Lulit, vidhte tre herë të rinjtë e Peshkopisë. U vidhte kohën, mundin dhe paratë, studentëve dhe prindërve të tyre, për tu dhënë në fund një diplomë pas asnjë vlerë. Vidhte taksapaguesit shqiptarë duke u marrë para që shkonin në xhepat e pushtetarëve, pasi shkolla e filialit ishte me kushte si mos më keq, e vetëm shkollë nuk mund të quhej. Dhe së treti, vidhte mundësinë për arsim cilësor, duke prishur barazinë e sistemit arsimor në vend, pasi studentët e atij filiali notën mesatare e kishin 5,3. Ndaj, përpara se të akuzojë, zoti Basha është mirë edhe të pyesë e të kuptojë cila ishte gjendja e filialit gjatë tetë viteve të qeverisjes së partisë së tij. Qeveria e re vërtet mbylli një filial, por në fakt mbylli një fabrikë që prodhonte diploma pa cilësi dhe ndërkohë, në komunikim të vazhdueshëm më studentët, u ka ofruar atyre mundësinë për të ndjekur studimet në një universitet, jo më në një kioskë”. Së fundi, deputeti Manja ka dhënë edhe një këshillë për zotin Basha. “Teksa viziton Shqipërinë dhe dialogon me qytetarët, të mos ketë frikë nga fjala e lirë. T’i lejojë gazetarët të bëjnë punën e tyre duke ndjekur aktivitetin e liderit të opozitës, sigurisht nëse nuk ka frikë nga të vërtetat që thonë qytetarët, pasi në të kundërt promovon asgjë më shumë se sa censurën”, tha deputeti Manja.

Advertisement