Ndahet nga jeta ish-bashkëshortja e Nelson Mandelas

Winnie Mandzikela-Mandela, ish-bashkëshortja e Nelson Mandela-s, është ndarë nga jeta këtë të hënë, në moshën 81-vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë. 

Ajo njihej si një aktiviste kundër aparteidit në Afrikën e Jugut. E lindur në Bizana në Easter Cape në vitin 1936, ajo ndoqi studimet për punë sociale në Johannesburg. Me Nelson Mandelën u njoh në vitin 1957 dhe një vit më vonë u martuan, martesë nga e cila sollën dy fëmijë.

Advertisement

Megjithatë, martesa ishte e shkurtër, pasi Mandela u arrestua në vitin 1963 dhe u dënua me burgim të përjetshëm për tradhti, ndërsa vetë Winifred vuajti pasojat e aparteidit, fillimisht duke u vendosur në arrest shtëpie e më pas duke u dëbuar në Brandfort, një qytezë ku internoheshin kundërshtarët e regjimit.

Në vitin 1969 u bë ndër të parat të dënuara sipas një ligji famëkeq të periudhës së aparteidit, ku u ndëshkua me 18 muaj e vetmuar dhe krejtësisht e izoluar në një qeli në burgun qendror të Pretorias me akuzën e terrorizmit.

Aktiviste, ashtu si bashkëshorti i saj që ndodhej në qeli, Winifred do të fitonte popullaritetin masiv në Afrikën e Jugut dhe në mbarë botën me ecjen dorë për dore me Nelson Mandelën pas lirimit të tij në vitin 1990.

Por, një vit më vonë Winifred u dënua me akuzën e rrëmbimit dhe më pas vrasjes së një aktivisti nga truprojat e saj personale.

Dënimi me 6 vite burg u reduktua në një gjobë dhe dy vite burg me kusht. Pas kësaj, martesa me Nelson Mandelan u shkund nga themelet dhe ajo që do të ndante përfundimisht rrugën e saj me presidentin e parë me ngjyrë të Afrikës së Jugut ishte një letër e publikuar në mediat vendase, ku Winifred me gjasa i drejtohej një të dashuri të saj shumë vite më të ri.

“Fakti që unë nuk flas me Tata (Nelson Mandela) për më shumë se pesë muaj tani nuk është më shqetësimi yt. Po të them që në shtëpinë time situata po përkeqësohet, ndërsa ti vazhdon kënaqesh çdo natë me një grua tjetër”,- shkruante ajo në letrën e saj.

Çifti u nda në vitin 1996, pas 37 vitesh martesë.

Në zgjedhjet e para demokratike, në vitin 1994, Winifred u zgjodh deputete dhe u vendos zv.ministre e Kulturës, por u shkarkua nga Nelson Mandela pas një udhëtimi të paautorizuar në Ganë.

Që prej asaj kohe mbante postin e deputetes, pavarësisht se në sallë shfaqej rrallë e më rrallë.