Ndahet nga jeta Artisti i Popullit, Gaqo Çako

Tenori i njohur dhe me vlera të jashtëzakonshme vokale Gaqo Çako është ndarë nga jeta mbrëmjen e së mërkurës. Simboli historik i Teatrit të Operas dhe Baletit shqiptar ndërroi jetë në banesën e tij në moshën 83-vjeçare.

Njoftimi për ndarjen nga jeta të Artistit të Popullit, Gaqo Çako është bërë nga TKOB dhe në rrjetin social Facebook.

Advertisement

“Lamtumirë simboli historik i operas dhe muzikës shqiptare, “Nderi i Kombit” – Gaqo Çako. Me hidhërim të thellë bëjmë me dije se pak minuta me pare është ndare nga jeta në moshën 83-vjeçare tenori virtuoz, simboli historik i muzikës operistike shqiptare, “Nderi i Kombit” – Gaqo Çako. Mjeshtri i madh u shua në shtëpinë e tij në Tiranë. Ngushëllime familjes, miqve dhe kolegeve të Gaqo Çakos – “Nderit të Kombit”, shkruhet në njoftimin e TKOB.

Gaqo Çako lindi më 24 janar 1935. Fëmijërinë e kaloi në Korçë, aty ku serenatat nuk reshtën asnjëherë së kënduari. Më pas u vendos në Kuçovë, ku dhe spikati nëpër aktivitetet në shtëpinë e kulturës, ku edhe i dhanë të drejtën për studime në Liceun Artistik. Adoleshencën e kaloi në Tiranë. Në vitet 1957 dhe 1961 studioi në konservatorin “Çajkovski” të Moskës. Pas kthimit në Shqipëri më 1961 ai u emërua tenor i Teatrit të Operës dhe Baletit të Tiranës, ku këndoi shumë nga rolet e para të repertorit operistik, duke u bërë kështu tenori kryesor për tri dekada me radhë.

I nderuar me titullin e lartë “Nderi i Kombit” Gaqo Çako ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në historinë e Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor. “Traviata”, “Bohema”, “Rigoleto”, “Norma”, si dhe operat shqiptare “Mrika” e Prenk Jakovës, “Lulja e kujtimit” e Kristo Konos, “Pranvera” e Tish Daisë, “Heroina” e Vangjo Novës, “Skënderbeu” i Prenk Jakovës, “Komisari” i Nikolla Zoraqit, “Zgjimi” i Tonin Harapit, “Toka e jonë” e Pjetër Gacit, kanë ngelur në repertorin e muzikës klasike me performancën e mjeshtrit të vokalit Gaqo Çako. Ka shëtitur pothuajse në të gjithë teatrot e botës.

Mjaft i njohur edhe në skenat italiane, ku ai ka mbaruar konservatorin e Santa Cecillias. Ai ka interpretuar veprat më të mira të kompozitorëve botërorë, edhe shqiptarë, por edhe ka kënduar në 28 edicione të Festivalit të Këngës në Radio Televizionin Publik Shqiptar.