Na gjeni një koment që nuk e pëlqen këngën e Elvanës në Eurovizion

Ka diçka tek arti, një faktor sa lakmues, aq dhe të mundimshëm për ata të cilët janë pjesë e fushës – arti mbart publiken në vetvete! Krijimet mbeten gjithmonë për t’u gjykuar nga publiku, e historia na ka treguar se shpesh, vepra të cilat nuk janë vlerësuar fort nga kritika apo nuk kanë mundur të rrëmbejnë çmime në festivale përkatëse, janë shndërruar në të preferuarat e audiencës.

E kemi thënë shpesh se Festivali i RTSH këtë vit u përfol shumë. Të gjitha diskutimet, akuzat e replikat nisën në momentin kur u publikua zyrtarisht lista e këngëtarëve garues. U fol shumë se fituesja tashmë ishte vendosur dhe emri i Elvana Gjatës nisi të lakohej së tepërmi si në rrjetet sociale, ashtu dhe në media. Pa dashur të bëjmë një analizë të gjithë këtyre aludimeve të mundshme, për aq kohë sa nuk kemi prova për asnjërën prej mundësive, ka një fakt sa të thjeshtë, aq dhe të pamohueshëm, që e mundëson epoka e internetit.

Advertisement

“Me Tana” u publikua rreth dy ditë më parë, e këtë herë nuk do të flasim për klikimet (mbi 730 mijë deri tani). Po t’i hedhim një sy komenteve poshtë videos, jo vetëm nga përdorues shqiptarë, por edhe nga ata të huaj, kuptohet qartë se Elvana është tashmë e preferuara e publikut. Shumë prej komentuesve theksojnë se ajo duhet të jetë artistja që do të ngjitet në skenën e Eurovizionit, ashtu sikurse të tjerë që jetojnë jashtë kufijve janë shprehur se një përfaqësim i denjë e modern mund t’i besohet Elvanës në veçanti.

Kështu, pavarësisht se dëgjuam shumë, pa marrë parasysh se cili apo cila mund ta fitojë vendin e parë, duhet të kemi në mend se ka diçka që as nuk blihet, e as nuk shitet dot: pëlqimi i publikut. Këtë trofe, Elvana e fitoi në më pak se 48 orë… /News31.al

/News31.al/