Mustafa, vizitë në Tiranë. Takim me Ramën për mbledhjen e qeverive

Kryeministri i ri i Kosovës, Isa Mustafa zhvilloi vizitën e parë zyrtare në Tiranë, ku u prit nga homologu shqiptar, Edi Rama.

Në konferencën e përbashkët për shtyp, kryeministri Rama tha se me zotin Mustafa kishte biseduar për të hedhur hapa të mëtejshëm e të rëndësishëm në bashkëpunimin dypalësh, si dhe për bashkërendimin e forcave drejt integrimit në BE.
“Ne ndajmë vlerësimin se marrëdhëniet mes nesh janë të shkëlqyera dhe vllazërore dhe se partneriteti strategjik, i institucionalizuar në mbledhjen e Prizërenit, është një instrument themeltar që përcakton peshën e faktorit shqiptar në rajon”, deklaroi Rama.
Nga ana e tij, kryeministri Mustafa shprehu mirënjohje për gjithçka që dy qeveritë kanë bërë së bashku deri më tani.
“Ne konsiderojmë me rëndësi të veçantë marrëveshjen për bashkëpunim strategjik dhe po ashtu të gjitha punët që kemi bërë bashkarisht deri më tani. Ne synojmë t’i kalojmë tërësisht kufijtë mes Shqipërisë dhe Kosovës. Aktualisht po bashkëpunojmë në ekonomi dhe në fusha të tjera. Kemi arritur rezultate në arsim e kulturë dhe do bëjmë përpjekje që rezultate të ngjashme të arrihen edhe në marrëdhëniet tregtare”, tha Mustafa.
Pjesë e bashkëbisedimit të dy kryeministrave ishin dhe përgatitjet për mbledhjen e dytë të përbashkët të qeverive që do të zhvillohet në Tiranë më 23 mars.
“Po ashtu, në mbledhjen e përbashkët ne do të bëjmë një sërë hapash për të hequr një sërë proçedurash dhe rregullimesh që pengojnë gjithë procesin e ndërveprimit për biznesin dhe atë të bashkëveprimit ekonomik mes dy shteteve”, saktësoi Rama.
Kryeministri Mustafa, i shoqëruar nga zëvëndëskryeministri Hashim Thaçi, gjatë qëndrimit në Tiranë është takuar edhe me kreun e shtetit Bujar Nishani dhe kryeparlamentarin Ilir Meta.

Advertisement