Musk jep lajmin: Në krye të “Twitter” do të jetë një grua!

Elon Musk ka gjetur një shefe ekzekutive për të drejtuar Twitterin. Lajmin e bëri me dije vetë Musk në Twitter, platformën sociale të cilën e bleu vitin e kaluar për 44 miliardë Dollarë.

Musk nuk zbuloi identitetin e shefes së re, por tha se “ajo”, duke lënë të kuptohej se do të ishte një femër, “do të fillonte pas 6 javësh dhe do të bëhet shefe ekzekutive e kompanisë”.

Advertisement

Kohët e fundit, ai ka qenë nën presion të vazhdueshëm për të emëruar dikë tjetër në krye të “Twitter” në mënyrë që të fokusohej në bizneset e tij të tjera.

Musk është akuzuar më parë nga aksionerët për braktisjen e Tesla-s pas marrjes së tij në Twitter dhe për dëmtimin e markës së kompanisë së makinave.

“Përpjekja për të balancuar Twitter, Tesla dhe SpaceX si CEO (është) një detyrë e pamundur që duhej të ndryshonte”, tha Dan Ives nga firma e investimeve Wedbush Securities.

Sipas dy raporteve të mediave amerikane, Wall Street Journal dhe Variety, shefja e reklamave të NBCUniversal, Linda Yaccarino është në bisedime për t’u bërë shefe ekzekutive e Twitter.