Qeveria shqiptare ka miratuar numrin e punonjësve dhe praktikantëve që do të punojnë me kontratë të përkohshme në institucionet publike përgjatë vitit 2017.

Sipas vendimit të qeverisë që është botuar në Fletoren Zyrtare, këtë vit numri do të jetë 2.225 punonjës. 2.025 punonjës do të jenë me kontratë të përkohshme, ndërsa 200 do të jenë praktikantë. Efektet financiare për punonjësit e kontraktuar bëhet nga shpenzimet korrente, të miratuara në buxhetin përkatës të vitit 2017, të njësive të qeverisjes qendrore.

Sipas listës, rezulton se numrin më të lartë të punonjësve me kontratë e kanë Drejtoria e Tatimeve dhe Agjencia e Legalizimeve.

Për t’u bërë pjesë e administratës publike, aplikimet për vendet e lira në shërbimin civil, për pozicionet e lira në institucionet e administratës shtetërore, pra në Kryeministri, ministritë e linjës dhe institucionet e tyre të varësisë, bëhen online nëpërmjet faqes zyrtare të Departamentit të Administratës Publike. Janë shtatë dokumente bazë që duhet të dorëzohen për t’u bërë pjesë e administratës publike. Ndërkohë, 200 vende pune janë për praktikantë, të cilët do të punësohen pranë institucioneve shtetërore.

Punësime të reja do të ketë edhe në spitale. Sipas vendimit përjashtimisht, pagesa për mjekët e kontraktuar të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë i referohet vendimit përkatës të pagave për sistemin shëndetësor dhe pagesave për punonjësit e kontraktuar për Qendrën e Transferimit të Teknologjisë, Agjencinë Kombëtare të Duhan-Cigareve dhe Entin Shtetëror të Farave dhe Fidanëve, në Ministrinë e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, ku për shkak të veçorisë së punës, përllogaritet sipas volumit të punës së kryer dhe paguhet sipas preventivit përkatës.

Punonjësit, të cilët merren me anketime të ndryshme të Institutit të Statistikave dhe Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, punonjësit që përfshihen në procesin zgjedhor, nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, instruktorët e qendrave të Formimit Profesional si dhe mësuesit në dispozicion, në arsimin parauniversitar dhe arsimin profesional, nuk përfshihen në këtë vendim.

Për mundësi punësimi mund të klikoni në linkun: http:// www.dap.gov.al/legjislacioni/udhezimemanuale.