Në përpjekje për t’i dhënë një shkëndijë të re shfaqjes së tij të çmimeve, MTV-ja e ktheu mbrëmjen e së dielës “MTV Movie Awards” në “MTV Movie & TV Awards”.
Përpos ndarjes së çmimeve tradicionale të telvizionit, rrjeti hoqi dorë nga ideja e “aktorit dhe aktores më të mirë”, duke vendosur që tani kategoria e interpretuesit që ka lënë më shumë mbresë të jetë neutrale sa i takon gjinisë.
Ndërsa ajo “e luftës më të mirë” është kthyer në “lufta më e mirë kundër sistemit”. Mikpritësi i ceremonisë, Adam Devine tha se MTV është mjaft krenare për ndryshimet e saj progresiste.
“Duhet ta keni vënë re, besoj, se nata e sotme nuk ka të bëjë thjesht me argëtimin. Ajo është gjithashtu një moment për të rrëzuar barriera e për të përhapur ndërgjegjësimin mbi çështje të ngutshme të kohës”, tha Adam Devine, prezantues.
Skenën e spektaklit e pushtoi në thelb diversiteti dhe përfshirja. Emma Watson ishte fituesja e çmimit të madh për rolin e Bellës tek ekranizimi i animuar i “Disney”-t nga vitit 1991, “E bukura dhe bisha”.
“Aktrimi ka të bëjë me aftësinë për t’u vënë në vendin e dikujt tjetër dhe nuk ka përse ndahet domosdoshmërisht në dy kategori të ndryshme”, tha aktorja.
“E bukura dhe bisha” mori edhe çmimin e “filmit më të mirë” dhe për këtë, regjisori Bill Condon falënderoi publikun femëror. E vlerësuar doli nga mbrëmja edhe 13-vjeçarja Millie Bobby Brown, e cila ka mahnitur me interpretimin e saj në “Stranger Things”.
“MTV Movie and TV Awards” nisi si çdo shfaqje tjetër në Los Angeles, me yjet e veshur lehtë, si për mot të ngrohtë dhe, ndonëse organizatorët ishin paralajmëruar mbi mundësinë e një shiu të lehtë, breshëri i fortë që parapriu ceremoninë i gjeti krejtësisht të papërgatitur.