Reshjet kanë vijuar gjatë gjithë natës dhe problemet e para raportohen nga qarku i Gjirokastrës.
Rruga Gjirokastër-Lugina e Çajupit ka shembje në të gjithë gjatësinë dhe konsiderohet e rrezikshme edhe për shkak të stuhisë. Po ashtu në këtë qark, reshjet filluan të bllokojnë akset rurale drejt Lunxherisë, Picarit, Zhulatit dhe Fushbardhës në Gjirokastër. Ndërsa rruga nacionale pranë shtratit të Drinos është e kalueshme vetëm për mjete të larta.
Situata detare paraqitet e rënduar në Adriatik, ndërsa në zonat bregdetare të Gjirit të Durrësit shpejtësia e erës paraqitet në rritje. Më në thellësi të tokës, situata është normale me reshje jo të dendura shiu të cilat kanë nisur që në orët e para të natës së kaluar. Mëngjesin e sotëm anija tregtare “Envi 1” që ndodhet në radën e portit paraqiti situatë emergjence, kur si rezultat i forcës detare iu lirua spiranca. Pas ndërhyrjes së ekuipazhit dhe ndihmës së dhënë situata u kthye në normalitet.
Aktualisht, deti regjistron forcën 7-8 ballë me drejtim nga jugu, ndërsa shpejtësia e erës në rritje. Për shkak të këtyre kushteve atmosferike, edhe 2 tragetet e linjës Bari-Durrës, që duhej të bregëzoheshin në orën 8:00, nuk janë futur ende në ujërat shqiptare. Drejtoria e Përgjithshme detare bën të ditur se tragetet janë nisur me vonesë nga Bari dhe pritet të mbërrijnë pasditen e sotme, pas orës 15:00. Ndërkohë janë paralajmëruar të gjitha mjetet lundruese të rrisin masat e sigurisë për të shmangur incidentet dhe të mos dalin në det.
Sipas emergjencave civile Qarqet më të rrezikuara janë Fieri dhe Vlora. Drejtori i Emergjencave Civile Shemsi Premçi deklaroi se nëse të premten do të vazhdojë procesi mësimor, nxënësit deri në klasat e nënta duhet që të shoqërohen nga prindërit në shkollë.
Edhe Sinoptikanët greke sugjerojnë që nga sot e deri të shtunën pasdite të evitohen lëvizjet në zonën e Greqisë veriore dhe Shqipërisë jugore. Sakis Arnautoglu, sinoptikan i njohur i kanalit shtetëror grek ERT, parashikon që në pak ditë në Shqipërinë e jugut të shkarkohen 500 litra shi në një metër katror.