Filmi “Moonlight” ka triumfuar në edicionin e 89 të “The Academy Awards”, duke rrëmbyer çmimin “Oscar” si “Filmi më i mirë”.

Ceremonia madhështore është mbyllur me një gafë të madhe nga drejtuesit, të cilët kanë lexuar fillimisht zarfin duke shpallur fitues “La La Land”, por më pas është saktësuar gjithçka dhe fituesi ishte “Moonlight”.

Advertisement

Casey Affleck është shpallur “Aktori më i mirë” për interpretimin e tij në rolin e Lee Chandler në filmin “Manchester by the Sea”. Një personazh me një dramë të fortë të brendshme që jeton me të shkuarën e tij tragjike teksa i duhet të ngushëllojë nipin e tij për humbjen e babait.

Ndërkohë çmimi “Aktorja më e mirë” ka shkuar për Emma Stone, e cila interpreton rolin e Mias, një vajzë e ardhur në Los Angelos duke kërkuar rrugën e saj të suksesit si aktore. Shpesh do jetë e vështirë për të të balancojë pasionin për profesionin që ka zgjedhur dhe dashuria për Sebastian.

Ishte Mahershala Ali ai i cili rrëmbeu “Oscar”-in e parë në edicionin e 89 të “The Academy Awards” si “Aktori më i mirë joprotagonist”, për interpretimin e tij në “Moonlight”.

Të nominuar për këtë çmim ishin edhe Jeff Bridges, Hell or High Water; Lucas Hedges, Manchester by the Sea, Dev Patel, Lion, si dhe Michael Shannon, Nocturnal Animals.

Ali interpreton Juanin, një shpërndarës droge në Miamin e viteve ’80. Ndonëse shfaqet vetëm në pjesën e parë të filmit, personazhi i fuqishëm e spikat Mahershala Ali.

Çmimin për “Dokumentarin më të mirë” e mori “O. J.: Made in America”. Një dokumentar i regjisorit Ezra Edelman i bazuar në gjyqin, me gjasa më të bujshëm të fundit të shekullit 20 në Shtetet e Bashkuara. Historia e O.J Simpson e rrëfyer nga ngritja e karrierës së tij si një yll i futbollit amerikan, tek akuzat për vrasjen e ish-gruas dhe mikut të saj. Një rrëfim mbi krimin, mediat, famën e ligjin i treguar hollësishëm për më se 8 orë në këtë dokumentar të ndarë në seri.

Të nominuar për këtë çmim ishin edhe “Fire at Sea”; I Am Not Your Negro; Life, Animated; 13th.

Viola Davis ishte ajo që mori çmimin si “Aktorja më e mirë joprotagoniste”, për interpretimin e saj në filmin “Fences”. Ajo vjen në rolin e Rose Maxson, një bashkëshorte dhe mama e dedikuar, e cila përpiqet të mbështesë ambiciet e të birit, shpesh duke patur konflikte me të shoqin.

Të nominuar për këtë kategori ishin edhe Naomie Harris, Moonlight; Nicole Kidman, Lion; Octavia Spencer, Hidden Figures; Michelle Williams, Manchester by the Sea.

Çmimin për “Filmin më të mirë të huaj” e mori “The Salesman”. Ky është një prodhim iranian nga regjisori Asghar Ferhadi, fitues i çmimit “Oscar” për filmin “Ndarja”, 5 vite më parë. Filmi dramatik tregon historinë e një çifti iranian të detyruar të shpërngulet në një apartament të ri pas një akti dhune ndaj tyre. Ata vendosin mos të denoncojnë rastin, por gjendja e tyre emocionale përkeqësohet aq sa Emad, bashkëshorti, vendos të shqyrtojë vet çështjen në kërkim të hakmarrjes.

Të nominuar për këtë çmim ishin edhe Land of Mine; A Man Called Ove; Tanna dhe Toni Erdmann.

“Zootopia” ishte filmi i animuar i vlerësuar si më i miri, duke rrëmbyer një “Oscar”. Në qytetin Zootopia jetojnë 64 specie të ndryshme gjitarësh. Gjatë investigimit të një çështje, agjentja e policisë Judi, një lepur do të bashkohet me dhelprën Nick. Shoqëria midis të dyve do të thyej hamendësimin tradicional se gjitari e gjahu nuk mund të shoqërohen. Realizuesit e këtij filmi janë Byron Howard, Rich Moore dhe Clark Spencer.

Filmat e tjerë të nominuar për këtë çmim ishin edhe Kubo and the Two Strings; Moana; My Life as a Zucchini dhe The Red Turtle.

“Kënga më e mirë origjinale” shkon për “City Of Stars”; “Kolona zanore më e mirë”, çmimi për “Drejtorin artistik” dhe atë të “Fotografisë” ishin për “La La Land”.

Skenari më i mirë i përshtatur” shkoi për “Moonlight”, ndërsa “Skenari më i mirë origjinal” për filmin “Manchester by the Sea”.