Koorporata Ndërkombëtare e Vlerësimit Financiar Moody’s në vlerësimin e saj për Shqipërinë, nënvizon se pozicioni financiar i vendit është përmirësuar falë disiplinës fiskale.

Duke e konsideruar raportin e Moody’s për Shqipërinë, “një tjetër vlerësim kuptimplotë”, Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në “Facebook” shprehet se “sipas raportit të Moody’s, ecuria e fortë buxhetore mbështet parashikimin se në 2016-ën, defiçiti do të zbresë në 2.5 përqind, më i ulëti në dy dekada”.

Advertisement

Moddy’s konstaton se borxhi publik i vendit tashmë ka filluar të ulet dhe konfirmon qëndrimin e qeverisë se, vitin e ardhshëm borxhi do të zbresë në 69 për qind, i ndihmuar edhe nga gjallërimi i aktivitetit ekonomik. Gjithnjë sipas Moody’s, pas vitit 2014, rritja ekonomike ka qenë me bazë më të gjerë, e mbështetur si nga forcimi i konsumit ashtu dhe investimet private. Rritja ekonomike do të jetë 3.4 për qind këtë vit dhe do të vazhdojë të përshpejtohet deri në 4.1 për qind gjatë dy viteve të ardhshme.

Raporti i Moody’s nënvizon se, forcimi i rritjes ekonomike dhe lufta kundër informalitetit kanë rezultuar në një përmirësim për t’u theksuar në tregun e punës duke ulur 2.9 për qind papunësinë.

“Kjo nuk do të thotë aspak se gjërat po shkojnë fjollë, por padyshim do të thotë shumë për ata që duan të shikojnë, duan të dëgjojnë dhe duan të kuptojnë! Shqipëria vazhdon kthesën në drejtimin e duhur, përmes reformash rrënjësore që garantojnë të ardhmen”, shprehet Kryeministri Rama në postimin e tij.