Më herët këtë vit, nga media të ndryshme nisën aludimet se Monica Bellucci kishte gjetur sërish dashurinë, teksa aktorja italiane u raportua se kishte nisur një histori me regjizorin e famshmë Tim Burton.
Më pas lajmi u konfirmua nga vetë ikona e bukurisë, e cila për “Elle France” tha se është shumë e lumtur që e ka takuar Tim dhe po, është në një marrëdhënie me të.
Ndërkohë së fundmi cifti janë shfaqur për herë të parë bashkë, në tapetin e kuq në Romë, në premierën e filmit “Diabolik Chi Sei?”.
Bellucci, 59 vjeç, u shfaq e veshur me një fustan të gjatë ngjyrë gri e elegant dhe me grimin identifikues, ndërsa Burton, 65, me një kostum të zi klasik. Ata mbajtën duart, takuan njerëzit dhe pozuan të buzëqeshur, teksa morën edhe mjaft komplimenta.
Çifti po punon bashkë për filmin “Beetlejuice 2” në Londër, në vazhdim i “Beetlejuice” (1988), me regji të Tim Burton.
Sa i takon historikut të tyre të dashurisë, Burton ka qenë i martuar në vitet 1989 – 1993 me artisten Lena Gieseke, ndërsa pas disa marrëdhënieve, u lidh me Helena Bonham Carter, me të clilën ka edhe dy fëmijë. Marrëdhënia e tyre përfundoi në vitin 2014, ndërsa patën edhe shumë bashkëpunime në filmat e tij.
Nga ana tjetër, Bellucci ka qenë e martuar me fotografin Claudio Carlos Basso e më pas, me aktorin francez Vincent Cassel, me të cilën ka edhe dy vajza, të quajtura Deva dhe Léonie. Pas divorcit nga Cassel, Monica u lidh me artistin Nicolas Lefebvre. Tani aktorja italiane dhe regjizori janë të lumtur bashkë.