Bashkëkryetari i koalicionit të majtë qeveritar, kreu i parlamentit Ilir Meta, ka sfiduar të djelën politikën shqiptare dhe atë ndërkombëtare. Në një dalje të djelën nga selia e kryesisë së parlamentit, zoti Meta paralajmëroi se nëse Reforma në Drejtësi nuk miratohej me konsensus, ai ishte gati të jepte dorëheqjen, në vend të krijohej një qeveri teknike dhe të shkohej në zgjedhje të parakohshme.”Unë personalisht jam gati që për hir të këtij kompromisi të jap dorëheqjen nga ky moment nga kryetar i parlamentit nëse i shërben kompromisit. Ministrat e forcës politike që unë përfaqësoj të bëjnë të njëjtën gjë në mënyrën që ne të detoksikojmë këtë klimë helmuese të egër e të papranueshme” tha zoti Meta. Sipas tij maxhoranca aktuale nuk i ka votat për miratimin e reformës. Por, tha ai, nëse mosmiratimi është hap prapa, miratimi në mënyrë të diskutueshme mund të hapë një situatë krejt të re. “Shqipëria nuk duhet të shndërrohet në Maqedoni. Miratimi pa konsensus rrezikon të kthehet në një burim destabiltieti” shprehu shqetësimin kreu i parlamentit shqiptar.
Zoti Meta ju rikthyer së kaluarës duke thënë se ”Nuk më ka pëlqyer aspak mënyra se si ka filluar historia e reformës në drejtësi. Këtë ua kam bërë të ditur të gjithë aktorëve vendas dhe ndërkombëtar. Ja ku jemi, reforma që duhet të kalonte në pranverë ka rrezik të asfiksohet nga stina e vapës. Përpjekjet për të shpikur fajtor për mosgjetjen e konsensusit duhet të marrë fund” tha ai.
Por bashkëkryetari i koalicionit të majtë në pushtet, ka shkuar dhe më tej duke sfiduar edhe ndërkombëtarët. “Edhe mua si Lu mu sos durimi. Propozimi im është ky: Të takohemi të pestë. Unë si krytar parlamenti, dy kryetarët e forca kryesore politike që kanë përgjegjësi para popullit. Dy ambasadorët e nderuar nëse kanë propozime të tjera janë të mirëpritur. Dhe të mos dalim e të mbyllemi përgjithmonë këtu nëse nuk japim zgjidhje dhe nuk votojmë ndryshimet kyushtetuese të enjten në orën 10:00″ tha ai. “Të gjithë kemi premtuar këtë gjë dhe të gjithë duhet të sakrifikojnë këtë gjë” tha kreu i parlamentit dhe LSI Ilir Meta.