Meta: të angazhuar për bashkëpunim me opozitën

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta ka pritur sot në një takim Komisionerin për Politikat e Fqinjësisë Europiane dhe Negociatat e Zgjerimit në BE, Johannes Hahn.Gjatë takimit, Meta u shpreh se Shqipëria është e fokusuar në implementimin e pesë prioriteteve kyçe, si reforma në administratën publike, reforma në sistemin e drejtësisë, lufta kundër korrupsionit, lufta kundër krimit të organizuar dhe të drejtat e njeriut, përfshirë edhe të drejtën e pronës.

“Sa i takon reformës në drejtësi, unë mund t’iu informoj se kemi ngritur një komision të posaçëm, që ka përfunduar tashmë fazën e parë të përgatitjes së dokumenteve analitike dhe do të dalë shumë shpejt me një konkluzion konkret”, tha Meta.

Advertisement

Gjithashtu, kryeparlamentari e njohu z. Hahn edhe me angazhimin e mazhorancës për të pasur një bashkëpunim sa më konstruktiv me opozitën, si në rastin e Këshillit Kombëtar të Integrimit, që do të drejtohet nga opozita.

Nga ana e tij, komisioneri Hahn vlerësoi arritjet e Shqipërisë dhe theksoi se konsensusi është i rëndësishëm, por palët politike kanë legjitimitetin e duhur për të pasur qëndrime të ndryshme mbi çështje të caktuara.