Meta pret përfaqësuesit e FMN-së

Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta priti Shefen e Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Shqipërinë znj. Anita Tuladhar e cila shoqërohej nga Përfaqësuesi Rezident i FMN në Tiranë z. Jens Reinke, me të cilët diskutuan mbi ecurinë e marrëveshjes mes FMN dhe Qeverisë shqiptare si dhe mbi klimën ekonomike në vend.

Kryetari i Kuvendit z. Meta i njohu përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar me axhendën e reformave prioritare në vend, duke u ndalur në mënyrë të veçantë tek reformimi i sistemit të drejtësisë, të cilin e konsideroi si thelbësor për klimën e biznesit dhe për rritjen e besimit të investitorëve të huaj.

Advertisement

Z. Meta vuri në dukje se duke marrë në konsideratë situatën ekonomike në Evropë, Shqipëria ka nevojë ta rrisë angazhimin e saj në funksion të mirëmenaxhimit të financave publike dhe rritjes së efikasitetit të politikave ekonomike në vend. Në këtë kuadër, u theksua rëndësia e thellimit të bashkëpunimit me Fondin Monetar Ndërkombëtar për progresin e reformave ekonomike.