Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta iu drejtoi të martën një apel të gjitha forcave politike në vend, që në zgjedhjet parlamentare të 2017-s të përfaqësohen me sa më shumë intelektualë dhe akademikë.
“Do të dëshiroja që të gjitha forcat politike në zgjedhjet 2017-s të gjejnë forcat për t’u përfaqësuar me sa më shumë intelektualë, akademikë, profesorë, pedagogë në mënyrë që fuqia e mendimit të tyre të mos vijë thjesht përmes ekspertizës, këshillave apo përmes një bashkëpunimi që do e nisim sot, por do të vijë edhe përmes një pjesëmarrje më aktive në vendimarrje, pasi vendi ka nevojë për këtë gjë, edhe Kuvendi po ashtu”, u shpreh Meta, gjatë nënshkrimit të një marrëveshje bashkëpunimi me rektorin e Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni.
Ai vuri në dukje se Kuvendi ynë lë për të dëshiruar sa i takon cilësisë së përfaqësimit të drejtëpërdrejtë. Shpesh, tha Meta, vendimarrjet kanë qenë të nxituara edhe për shkak të mungesës së njohurive në fusha të caktuara, ku iu referua çështjeve të mjedisit dhe ligjit të mbetjeve.
“Kemi nevojë për zhvillim të qëndrueshëm të vendit dhe politika sa më të mençura për të përfituar sa më shumë dhe për të pasur kosto sa më të menaxhueshme. Pasi dihet që shpeshherë vendimarrjet kanë qenë edhe të nxituara dhe të paragjykuara, jo vetëm për shkak të vullnetit politik jo shumë të përgjegjshëm, por edhe për shkak të mungesës së njohurive të duhura në fusha të caktuara. Ne po vëmë re, p.sh. sa i takon çështjes së mjedisit apo mbetjeve, sa i nevojshëm dhe i domosdoshëm është paraprirja e vendimarrjes nga studime, debate, kërkime. Pasi janë disa fusha mjaft të reja, që edhe ata që japin mësim shpesh kanë nevojë të abdetohen dhe jo më deputetët, kur dihet që ende Kuvendi ynë lë për të dëshiruar sa i takon cilësisë së përfaqësimit të drejtëpërdrejtë”, theksoi kryetari i Kuvendit.
Ai shprehu besim në bashkëpunimin afatgjatë me Universitetin e Tiranës, por dhe me institucione të tjera të arsimit të lartë në vend.
Ndërsa, Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Mynyr Koni tha në fjalën e tij se ky memorandum ka si qëllim promovimin e punës kërkimore shkencore dhe të mendimit analitik në funksion të demokracisë parlamentare, rritjen e perceptimit dhe të kapaciteteve të studentëve mbi parlamentarizmin.
“Gjithashtu parashikohet që falë këtij akordi të ecet drejt përmirësimit të perceptimit publik dhe të njohjes më të mirë të funksioneve të Kuvendit të Shqipërisë si dhe mbështetjen e institucioneve arsimore në përmbushje të funksioneve të tyre në kuadër të zbatimit të legjislacionit në fuqi për arsimin e lartë. Dua të theksoj faktin e Universiteti i Tiranës ka një ndikim esencial në shumë aspekte të jetës në vend dhe bashkëpunimi të tilla me institucione të rëndësishme, me këtë rast Kuvendin e Shqipërisë, do të ndikojnë pozitivisht në të dyja anët”, u shpreh rektori Koni.
Pas firmosje së memorandumit, Kryetari i Kuvendit i dhuroi Universitetit të Tiranës kolanën “Bisedime parlamentare 1920-1939”, një ribotim i Kuvendit në kuadër të 95-vjetorit të parlamentit të parë shqiptar.