Dikur Jose Mourinho, në kohën kur drejtonte Realin e Madridit, thoshte se Barcelona është ekip fëmijësh.

Sot duket se yjet e këtij ekipi duan t’i vërtetojnë ish-teknikut madrilen fjalët e tij, por në një kuptim të kundërt.

Advertisement

Leo Messi dhe Luis Suarez janë të famshëm për vizitat e tyre në spitalet e fëmijëve gjatë kohës së lirë dhe ata nuk dolën nga tradita e tyre këto festa, kur ekipi ndodhej me pushime, pasi shkuan të vizitojnë fëmijët në një spital në Barcelonë.

Por vizita e kësaj radhe ka qenë edhe më e veçantë, pasi ata takuan, mes fëmijëve të tjerë në spital, edhe djalin e sëmurë të ish-yllit të Spanjës dhe Valencias, Joan Capdevilla, i cili e quajti këtë vizitë tepër speciale për të dhe fëmijën e tij, edhe pse vogëlushi nuk mundi t’i njihte yjet katalanas.

“Ishte një kënaqësi e madhe t’i shihja ata këtu në spital, edhe pse pak e çuditshme t’i shihje në spital dhe jo në fushë. Kur luaja në fushë vizitoja fëmijët e sëmurë vetë, kurse tani u bëra vetë protagonist i vizitave të yjeve”,- tha Capdevilla.

Pak ditë më parë, dy yjet bashkë me shumë shokë të ekipit ishin në një spital tjetër në Barcelonë për t’u dhuruar disa çaste të këndshme fëmijëve të sëmurë.