Që pas raportit të The Wall Street Journal, ku shkruhej se presidenti i SHBA-së ka paguar aktoren e filmave porno, Stormy Daniels, që të mos flasë rreth marrëdhënies së tyre në vitin 2006, periudhë kur Trump ishte i martuar me Melanian dhe prej 3-muajsh ishin bërë prindër të Barron, zonja e parë nuk është parë në publik.

Advertisement

Ajo madje anulloi planet për të dalë krah të shoqit në Forumin Botëror të Ekonomisë në Davos një javë më parë dhe thuhet të ketë fjetur në një hotel në Washington gjatë këtyre ditëve dhe jo në Shtëpinë e Bardhë.

Megjithatë, zonja e parë shkoi në eventin e përvitshëm State of Union, mbajtur mbrëmjen e së martës dhe po për herë të parë theu traditën, duke e bërë vetëm rrugën për në event dhe Trump shkoi me makinë më vete, ndryshe nga Barack me Michelle Obama-n që e kanë bërë bashkë rrugën për në event çdo vit të mandatit të tyre.

Me të hyrë në sallë, Melania buzëqeshte dhe përshëndeste turmën dhe u ul pranë një djali 12-vjeçar që ka organizuar vendosjen e më shumë se 40 mijë flamurëve në varret e ushtarëve. E veshur e gjitha me të bardha, zonja e parë krijonte kontrast me të pranishmet, që ishin veshur të gjitha me të zeza, por në sintoni të plotë me gratë demokrate që u veshën të gjitha me të bardhë në protestën kundër Trump një vit më parë pas të njëjtit event.

Ngjyra e bardhë prej kohësh është ngjyra e të drejtës së votës. Hillary Clinton e ka veshur vazhdimisht gjatë fushatës së saj dhe fill pas fitores së Trump, më shumë gra të famshme e kanë veshur këtë ngjyrë në shpirtin e protestës. Tani kësaj lëvizjeje i është bashkuar dhe Melania, e revoltuar siç duket për sjelljet e të shoqit dhe s’ka ndërmend të shtiret për protokollet e presidencës!