Më 6 maj të 2019-ës do të vinte në jetë djali i Harry-t dhe Meghan-it, por lindja e tij do të regjistrohej më 17 maj. Së fundmi, Meghan Markle është përfshirë në një bujë mediatike, lidhur me një ndryshim të bërë në certifikatën e lindjes së Archie-t. Sipas “The Sun” rezulton se një muaj pas lindjes së djalit, 39-vjeçarja fshiu emrat e saj të parë, Rachel Meghan dhe vendosi titulli “Lartësia e saj Mbretërore Dukesha e Sussex”.
Ndryshim pati edhe në emrin e princit Harry, “Lartësia e Tij Mbretërore Princi Henry Charles Albert David, Duka i Sussex”. Si kundërpërgjigje, Markle ka reaguar duke thënë se u ndje e detyruar ta bënte diçka të tillë dhe se vendimi në fjalë u diktua nga pallati mbretëror.
“Ndryshimi i emrit në dokumentet publike të 2019-ës u diktua nga Pallati, gjë që u konfirmua nga dokumente të zyrtarëve të lartë të Pallatit. Diçka e tillë nuk u kërkua as nga Meghan-i dhe as nga bashkëshorti i saj”, u tha për “US Weekly”.
Dokumenti tregon vendin e lindjes së Archie-s, diçka që prindërit e tij dhe familja mbretërore e kanë fshehur nga publiku për një kohë të gjatë. Bëhet fjalë për spitalin privat Portland në Westminster, Angli, ku për një natë qëndrimi duhen më shumë se 23,000 euro.