“King Arthur” mund të quhet pa frikë dështimi kinematografik i kësaj vere, duke zhgënjyer audiencën në mbarë botën.
Ndonëse është prodhim që mban firmën e regjisorit të njohur, Guy Ritchie, një investim nga shtëpia e famshme “Warner Bross” me protagonistë yje të “Hollywood”-it, sërish nuk ka mundur të renditet në radhët e sukseseve të këtij viti.
Gjatë premierës në SHBA, “King Arthur – The legend of the Sword” nuk mundi të mblidhte as 14 milionë dollarë në “Box Office”.
Kritikët analizojnë një sërë faktorësh, që e çuan Guy Ritchie në dështim. Së pari, ata thonë se historia e Mbretit Artur është thënë e stërthënë në forma të ndryshme, ndaj kurioziteti në radhët e publikut nuk ishte i lartë.
Për regjisorin Guy Ritchie, kjo nuk është hera e parë që merr histori të njohura, si në rastin e “Sherlok Holmes”, por ajo që duket se e ka penalizuar këtë herë është koha që i është dashur për të prodhuar filmin.
Fillimisht ai njoftoi për publikun se kishte nënshkruar kontratën për këtë film në vitin 2014, ndërsa mesi i 2017-s ishte koha kur pa dritë filmi, pra 3 vite më vonë, një faktor në disfavor të filmit, pasi pritja duket ta ketë lodhur audiencën.
Analistët mendojnë se edhe përzgjedhja e aktorit protagonist i ka dhënë një goditje kundër këtij filmi. Charlie Hunnam është ende një yll i paeksploruar, ndaj besimi i dhënë për staturën e Mbretit Artur tejkalon kapacitet e tij interpretuese.
Arturi bën një jetë të vështirë në një lagje periferike, duke u stërvitur në kushte të vështira në luginën pranë qytetit. Por sapo ai tërheq shpatën nga shkëmbi, është i detyruar të pranojë trashëgiminë e tij të vërtetë: i pëlqen apo jo ky fakt.
Është ky subjekti i filmit, i cili aktualisht po shfaqet në kinematë shqiptare me lojën e aktorëve Charlie Hunnam, Jude Law, Eric Bana.