Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka deklaruar se në lidhje me çështjen e importit të mbetjeve nuk ka ende një qëndrim zyrtar, por shtoi se për çështje të tilla duhet të prevalojë gjithmonë interesi i qytetarit.
“Këshilltarët juridikë po punojnë dhe po përgatisin takim konsultues me përfaqësues të shoqërisë civile. Preferoj që për çështje të tilla të ezauroj një konsultë sa më të gjerë të jetë e mundur përpara se të mbaj një qëndrim”, deklaroi Nishani kur u pyet gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.
“Çështje të tilla madhore që lidhen me interesat e qytetarëve duhet t’i fokusojmë në rrugën e zgjidhjes së interesit të publikut. Sovrani është qytetari dhe interesi i tij duhet të prevalojë”, shtoi Nishani.