Kylian Mbappe u prezantua sot zyrtarisht si lojtar i Real Madridit.
Sulmuesi francez, i cili kishte përfunduar testet mjekësore më herët në mëngjes, nënshkroi një kontratë pesëvjeçare në praninë e presidentit të klubit Florentino Perez, në fanellë do të mbaj numrin 9.
Ai deklaroi para tifozëve se ‘do të japë jetën’ për këtë klub.
“Është e mrekullueshme të jesh këtu, kam fjetur për shumë netë duke menduar që të jem pjesë e Real Madridit. Jam një djalë shumë i lumtur sot, dëshiroj që të falenderoj presidentin Florentino Perez dhe të gjithë njerëzit që kanë punuar që unë të jem këtu, por fituam, tani unë jam këtu pjesë e këtij klubi. Shikoj familjen time që është e lumtur, mamanë time që po qan.
Është një ditë e mrekullueshme për mua, që fëmijë kam pasur vetëm një ëndërr që të isha këtu, dhe i falenderoj tifozët që kanë ardhur të gjithë sot këtu. Tani kam një ëndërr tjetër që të jem në lartësinë e duhur të këtij klubi të madh, do të jap jetën për këtë klub. Dua ti jap një mesazh fëmijëve që janë këtu, mund ti realizoni çdo gjë me punë dhe duke ëndërruar. Jam shumë i emocionuar, por do të thotë shumë që jam këtu dhe lojtar i klubit më të madh në histori. Nuk po flas më shumë se ndryshe do të qaj. Hala Madrid!”, deklaroi Mbape.