Masakër në Elbasan, 3 të vrarë e 4 të plagosur

Të paktën 3 persona kanë humbur jetën dhe 4 të tjerë janë plagosur rëndë në një përleshje të armatosur të ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në qytetin e Elbasanit.

Burime policore bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur në një lokal, në zonën periferike të Krastës, pranë stadiumit “Elbasan Arena”. Disa persona kanë hapur zjarr me armë automatike në drejtim të lokalit, ku për pasojë 3 persona kanë gjetur vdekjen dhe 4 të tjerë janë plagosur.

Advertisement

Identiteti i viktimave nuk bëhet ende me dije, ndërkohë që forca të shumta policie kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dhe kanë bllokuar qarkullimin përgjatë gjithë aksit Elbasan-Librazhd si dhe janë ngritur postblloqe në rrugët e tjera dalëse të qytetit.

Ndërkohë, raportohet se ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka urdhëruar dërgimin e forcave speciale drejt Elbasanit.

Katër personat e plagosur, që të gjithë në gjendje të rëndë, janë nisur me helikopter drejt Tiranës, për mjekim të specializuar në Spitalin e Traumës.

Nga hetimet paraprake të uniformave blu dyshohet që ngjarja të jetë një larje hesapesh mes grupesh rivale.