Kosovë | Ngrihet aktakuza ndaj deputetit Limaj

alt

Mbi nënkryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës rëndojnë pesë pika të aktakuzës, dy për krime lufte kundër popullatës civile dhe tri pika për krime lufte kundër të burgosurve të luftës që përfshin edhe vrasjen. Ka qenë prokurori italian, Maorizio Salustro që ngriti aktakuzën kundër Limajt. Gazeta kosovare “Koha Ditore” citon burime nga Prokuroria Speciale, duke theksuar se aktakuza rëndon kundër gjithë grupit të Limajt i përbërë prej 10 personash. Salustro pretendon se ka gjetur prova kundër deputetit Limaj, Nexhmi Krasniqit, Naser Krasniqit, Naser Shalës, Sabit Shalës, Refi Mazfrekut, Arben Krasniqit, Shaban Shalës, Behlul Limajt dhe Besim Shurdhajt. Prokurori special i ngarkon ata me akuza për krime lufte të kryera në fshatin Kleçkë të Lypjanit në vitin 1999 në dy burgje të UÇK-së. Limaj tashmë akuzohet për krime lufte për herë të dytë. Në Hagë ai qe gjykuar dhe shpallur i pafajshëm për krime në Llapushnik, ndërsa për rastin e Kleçkës ai pritet të gjykohet në Kosovë.

Advertisement