Maqedoni, Meta takon Ivanov dhe Gruevskin

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta gjatë vizitës në Shkup është pritur nga krerët më të lartë shtetërorë.

Pas fjalës së tij në Kuvend dhe takimit me kolegun e tij maqedonas, Meta është takuar edhe me presidentin e Maqedonisë Gjorgje Ivanov dhe kryeministrin Nikolla Gruevski.
Në komunikatën e lëshuar nga qeveria, thuhet se Meta dhe Gruevski kanë dhënë vlerësime pozitive për marrëdhëniet mes dy vendeve që karakterizohen me takime të nivelit më të lartë. Dy bashkëbiseduesit kanë shprehur gatishmërinë e tyre për avancimin dhe thellimin e bashkëpunimit ekonomik, rritjen e shkëmbimit tregtar dhe realizimit të projekteve infrastrukturore.
Kryeministri maqedonas i ka prezantuar mikut shqiptar projektet që ka filluar të realizojë qeveria e tij në kuadër të Korridorit 8, që do të shërbejnë për lehtësimin e qarkullimit të njerëzve, mallit si dhe për forcimin e raporteve tregtare mes dy vendeve.
Me kreun shtetëror maqedonas, Meta ka biseduar edhe për proceset integruese dhe bashkëpunimin rajonal. Në këtë kuadër presidenti Gjorgje Ivanov ka theksuar pritshmërinë për mbështetje aktive të Tiranës lidhur me anëtarësimin e Maqedonisë në NATO. Në takimin Meta-Ivanov u theksua edhe nevoja për angazhim të përbashkët në përshpejtimin e realizimit të projekteve infrastrukturore, që përfshijnë rrugë, hekurudha dhe infrastrukturë energjetike, në kuadër të Korridorit 8. Nga ana e tij, kryetari i Kuvendit shqiptar ka siguruar palën maqedonase se Tirana mbështet fuqishëm integrimin e Maqedonisë në NATO dhe ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit për procesin e integrimit në BE.
Gjatë vizitës së tij në Shkup, Meta ka porositur autoritetet maqedonase të përshpejtojnë zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Në këtë kuadër, ai ka kërkuar ndarje të drejtë të buxhetit shtetëror për shqiptarët, me tepër investime në zonat shqiptare dhe përfshirje të më madhe të tyre në jetën publike, sociale dhe ekonomike në Maqedoni.

Advertisement