Kryeministri Rama homazhe për 21 janarin: Asgjë veç drejtësisë nuk e mbyll

Katër vite nga demonstrata e 21 janarit 2011, Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot homazhe në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në vendet ku u vranë 4 viktimat e 21 janarit.

Rama i zhvilloi homazhet së bashku me familjarët e viktimave të 21 janarit, pas takimit që zhvilloi në Kryeministri me këta të fundit. Kryeministri Rama dhe familjarët vendosën lule dhe mbajtën një minutë heshtje në vendet ku u vranë 4 protestuesit e 21 janarit. Më pas, nëpërmjet një potimi në rrjetin social “Facebook”, Kryeministri Rama shkroi se, për 21 janarin është koha për të lëvizur me një alternativë të re kërkimi të drejtësisë. Kryeministri thekson se asgjë veç drejtësisë nuk e mbyll 21 janarin.
“Me familjarët e 21 janarit. Koha për të lëvizur me një alternativë të re kërkimi të drejtësisë. Asgjë veç drejtësisë nuk e mbyll 21 janarin!”, shkruan Kryeministri Rama.
Katër vjet më parë, pas një proteste të opozitës së atëhershme, u vranë para kryeministrisë 4 persona, Ziver Veizi, Aleks Nika, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj.

Advertisement