Kreu i shtetit shqiptar ka deklaruar se autoritetet institucionale duhet të thonë fjalën e tyre dhe të bëhen promotor të angazhimeve. Në këtë drejtim ai ka theksuar se institucionet duhet të jenë të qartë në mesazhet e tyre duke mos lejuar shfrytëzimin pa kriter të pasurive natyrore. Deklarata e kreut të shtetit u bë pas takimit me homologun e Malit të Zi, Filip Vujanoviç në Konferencën Ndërkombëtare Shkencore me temë “Liqeni i Shkodrës – Gjendja dhe Perspektivat. Duke u ndalur në rëndësinë që ka Liqeni i Shkodrës, Topi theksoi se kjo pasuri natyrore është një mundësi për rritjen e kontakteve politike dhe ekonomike mes dy vendeve. Ai u shpreh se liqeni është bashkim i kulturave dhe historisë së dy vendeve dhe tani edhe ëndrrës së përbashkët për integrimin. Të pranishëm gjithashtu në këtë konferencë kanë qenë drejtues dhe anëtarë të Akademisë së Shkencave, studiues, profesorë, specialistë dhe personalitete të tjerë me kontribute studimore e praktike për mjedisin nga Shqipëria dhe Mali i Zi.