Artisja shqiptare Ornela Vorpsi pak muaj më parë gjatë një interviste, habiti të gjithë duke deklaruar se Edi Rama kohë më parë mahniti gjithë Parisin.
“Nuk më kap asnjë lloj habie sepse që në Institutin e Arteve kishte shpirtin e liderit; Një karizëm që i kishte të gjithë njerëzit mbrapa. Kjo është pikëpamja ime modeste, çdo njeri mund ta mendojë si të dojë. Kishte diçka magjepsëse. Dhe kur jetonte në Paris, që ishte artist, e magjepsi gjithë Parisin me mënyrën si fliste. Ka një karizmë në të folur, në sharm, një magjepsje që e pësonin shumë veta.”
E ftuar në Top Show Magazine thuajse një muaj më parë, Ornela Vorpsi foli kështu për kryeministrin Rama. Përveçse magjepsi Parisin, Rama magjepsi dhe Vorpsin, e cila deklaroi disa herë se asokohe ishte “e dashuruar në mënyrë platonike” me kryeministrin.
E lidhur me këto deklarata të forta, reagoi dhe kryeministri mbrëmjen e djeshme në po të njëjtën studio, por u fokusua vetëm tek pjesa e Parisit.
Ai deklaroi se do të tentojë të bëjë këtë gjë me një njeri të vetëm, presidentin Macron.
Siç i tha Alban Dudushi Vorpsit një muaj më parë, “Parisi është shumë i madh”, të njëjtën gjë i tha Rama Dudushit.
“Unë jam shumë dakord që Parisi është shumë i madh, për t’ia dalë ta mahnit. Gjithsesi tani do të më duhet të provoj të mahnit një person të vetëm, presidentin Macron, për të votuar pro hapjes së negociatave, madje mund t’u them se kam shumë besim që do t’ia dal”, -u shpreh Rama.