Migena Gjata sopranoja shqiptare që ka tërhequr vëmendjen e kritikës e mediave gjermane prej vitesh me zërin e saj, performoi për publikun kryeqytetas të shtunën në mbrëmje (4 Nëntor). Ashtu sikurse ishte paralajmëruar sopranoja mbajti koncertin e saj me veprat e Schumann, Wolf, Schubert, Webern dhe e mbylli mbrëmjen me Strauss në kuadër të tetorit gjerman. Ne piano Migena shoqërohej nga Günther Albers.

Advertisement

Salla e Akademisë së arteve ish mbushur plot e përplot me artdashës të cilët shijuan çdo moment të performancës. Në fakt Gjata kish zgjedhur që hyrja të ishte e lirë për këdo që dëshironte të shijonte vlerat e muzikës operistike. Kështu të gjithë mundën të admironin “timbrin e kadiftë e simpatik, fleksibël si në notat e poshtme ashtu dhe në ato të lartme pa asnjë lloj sforcimi”, “vokalin e shkëlqyer e të çmuar mozartian”,  “vokalin shumë shprehës dhe plot magji” dhe siç opernnetz.de, waz.de dhe Lokal-Anzeiger e kishin cilësuar.

Në sallë përveç personazheve të famshëm (Jonida Maliqi, Marsela Çibukaj, Valdrin Sahiti, Dalina Buzi, Julka Gramo, Ervin Kurti, etj.) sigurisht nuk mund të mungonin prindërit e Migenës dhe motra e saj Elvana Gjata.

Një moment shumë emocionues ishte kur nën duartrokitjet e publikut që ish ngritur i gjithi në këmbë, Migena zgjodhi tufën më të madhe me lule dhe shkoi e ja dhuroi pedagoges së saj Prof. Suzana Frashërit. Një krenari edhe për të që e ndihmoi të formësohej si artiste e tashmë shkëlqen në skenat botërore.

Shpresojmë që Migena Gjata të vijë sërish në kryeqytet për të na dhuruar magjinë e së shtunës mbrëma.