Me shqetësim të dukshëm në fytyrë, Bobby Brown është parë tek hyn në Spitalin Emory në Atlanta për të vizituar vajzën e tij Bobbi Kristina, e cila ende vazhdon të luftojë për jetën e saj.
Bobby, 46 vjeç, shoqërohej nga bashkëshortja Alicia Etheredge dhe e bija LaPrincia Brown, 24 vjeç.
Babai i shqetësuar i mbante sytë poshtë dhe shihte herë pas here celularin, për të shmangur edhe pyetjet e gazetarëve.
I kapur për dore me bashkëshorten, ngjiti shkallët për në hyrjen e spitalit dhe u zhduk pas dyerve të tij.
21 vjeçarja Bobbi Kristina u transferua këtë javë në spitalin Emory.
Ashtu siç është thënë dhe më parë, vajza e Bobby Brown dhe të ndjerës Whitney Houston, u gjet pa ndjenja në vaskën e shtëpisë së saj më 31 Janar.
Më parë familja ka lëshuar një deklaratë ku thuhej: “Bobbi Kristina po lufton për jetën e saj e rrethuar nga familjarët. Ashtu si ka deklaruar edhe babai i saj, kërkojmë të respektoni privatësinë e familjes gjatë kësaj periudhe të vështirë. Faleminderit për lutjet dhe urimet tuaja, e vlerësojmë shumë mbështetjen që na keni dhënë.”