Gent Sejko, Guvernator i ri i Bankës së Shqipërisë

Pas më shumë se 10 orësh debate dhe akuza mes opozitës dhe mazhorancës, mbi përmbytjet e ditëve të fundit në jug të vendit, Kuvendi mbylli seancën plenare të së enjtes, duke miratuar pikat e rendit të ditës, ku më kryesorja ishte miratimi me 105 vota pro i Genti Sejkos si Guvernator të Bankës së Shqipërisë.

Genti Sejko, prezantoi të premten e shkuar platformën e tij përballë deputetëve të Komisionit Parlamentar të Ekonomisë. Sejko tha se prioriteti i tij do të jetë transparenca dhe mbrojtja e interesave të konsumatorëve. Rëndësi i dha edhe rikthimit të besimit dhe të imazhit të këtij institucioni, pas skandalit të vjedhjes së 713 milion lekëve. Sejko theksoi se do të kërkonte vlerësimin e dokumentave dhe pasqyrave financiare, për të parë nëse është e saktë vlera e zhdukur nga thesari, e po ashtu edhe nëse nxjerrja e përgjegjësive është bërë si duhet.
Gent Sejko u zgjodh në dhjetor anëtar i Këshillit Mbikqyrës së Bankës së Shqipërisë, duke marrë mbështetjen si të shumicës ashtu dhe të opozitës, ashtu siç ndodhi këtë të enjte në senacën plenare të Kuvendit kur u propozua ne postin e Guvernatorit.
Sejko, i propozuar nga presidenti Bujar Nishani vjen pas një karriere të gjatë në sektorin Bankar dhe atë financiar.
Kuvendi gjithashtu miratoi pa debat edhe pikat e tjera të rendit të ditës. Pikat e rendit të ditës nuk u diskutuan, por vetëm u miratuan rreth orës 21.30, pasi gjatë gjithë seancës debati u përqëndrua mbi situatën në vend.

Advertisement