Lushnje, digjet shkolla 9-vjeçare në Kashtëbardhë

Një shkollë 9-vjeçare është përfshirë nga flakët mbrëmjen e së martës në fshatin Kashtëbardhë të Lushnjes.

Burime nga vendngjarja bënë të ditur se zjarri ka djegur pjesën më të madhe të shkollës, duke shkatërruar tavanin, e për pasojë duke prishur kështu shumë klasa të saj. Pas zjarrit të rënë, në vendngjarje mbërritën forca të shumta policie dhe zjarrfikëse, të cilët ndihmuan në lokalizimin e plotë të zjarrit. Djegia e shkollës ka vënë në lëvizje edhe autoritetet lokale në këtë qytet, të cilët ishin të pranishëm në vendngjarje. Kështu, situatën nga afër e kanë monitoruar Nënprefekti i Lushnjës, Ilir Dervishi dhe përfaqësues të Shtabit të Emergjencave. Në shkollën 9-vjeçare të fshatit Kashtëbardhë zhvillojnë procesin mësimor rreth 20 klasa dhe me përafërsi 700 nxënës, të cilët për shkak të kësaj ngjarjeje do të mbeten pa mësim ditët e ardhshme.

Advertisement