Luan Rama: Vrasësi i radhës i Doshit, një i sëmurë mendor

Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama tha se personi i pretenduar për vrasës nga Tom Doshi, i ashtuquajturi Petrit Çinari, rezulton të jetë një i sëmurë mendor dhe që është trajtuar si i tillë nga institucionet përkatëse.”

Në deklaratën për shtyp deputeti Rama e cilësoi gjithë rastin “Doshi”, një parodi që duhet të marrë fund sa më parë, ndërsa i bëri thirrje organit të akuzës që të hetojë me paanshmëri, bazuar në ligj këtë çështje dhe jashtë ndikimeve që mund të vijnë nga segmente të caktuara.
“Qytetarë duhet ta dinë se ‘vrasësi’ që u bë i ditur dje nga Tom Doshi, i ashtuquajturi Petrit Çinari, rezulton të jetë një i sëmurë mendor, i trajtuar si i tillë nga institucionet e specializuara shëndetësore të vendit. Kësisoj, kjo farsë po shndërrohet në një parodi qesharake që duhet të marrë fund sa më shpejt”, u shpreh Sekretari i Përgjithshëm LSI-së .
Sipas tij, në këto kushte, është detyrë e organit të akuzës të hetojë me konsistencë, me paanshmëri, bazuar vetëm në ligj dhe jashtë ndikimeve e presioneve që përpiqen të ushtrojnë mbi Prokurorinë segmente të caktuara, me qëllim mbylljen njëherë e mirë të kësaj parodie dhe për të vënë cilindo para drejtësisë.
Rama paraqiti para mediave kartelën klinike të personit në fjalë duke theksuar se ligji shqiptar e dënon penalisht keqpërdorimin apo përdorimin e të sëmurëve mendorë në kundërshtim me atë çfarë paracakton kartela e tyre.
Ai i kërkoi organit të akuzës që ta bëjë këtë çështje pjesë të hetimit, duke e thelluar hetimin dhe tek manipulimi dhe keqëpërdorimi i të sëmurëve.

Advertisement