Kanë qenë të shumta sot, personazhet e njohura të ekranit që u kanë dedikuar disa mendime mamave të tyre, në ditën e 8 marsit. Revista Who ka bërë bashkë, në këtë ditë, dedikimet e vajzave, ato fjalë që ndoshta nuk u thonë përditë nënave, në një rubrikë të quajtur ‘Letër mamit’. Një prej tyre ka qenë edhe ajo e Lori Hoxhës…Lexojeni!

“Të bukurës, mamasë sime!
Faleminderit që je gruaja që dëshiroj të bëhem çdo ditë të jetës sime. Faleminderit që më mësove çdo gjë di në jetë, e më shumë se aq. Faleminderit që më tregove si të dua pa kushte, pa pritur asgjë mbrapsht. Jeta s’ka qenë e lehtë për ty, e di mirë, ndaj Faleminderit që s’e le të të rrëmbejë buzëqeshjen tënde. Faleminderit që e deshe aq shumë tim atë, duke na ndihmuar të ishim të forta edhe pa të. Faleminderit që më mësove se jeta nuk është ngaherë e drejtë, por unë duhet të jem! Mbi të gjitha, faleminderit që mposhte stereotipin e gruas në Shqipëri. Nuk duhet të jesh burrë që t’ia dalësh. Nuk të duhet një burrë në krah për të qenë e suksesshme, për të rritur familjen! Nuk të duhet një burrë për të udhëhequr. Faleminderit që do veten çdo ditë, duke më mësuar se familja është e shenjtë. Dhe për dy femrat e tjera të jetës sime, nuk mund të falenderoj mamin, pa ju falenderuar juve. Është bekimi më i madh t’ju kem juve në jetën time. Sara, Faleminderit që më mban me këmbë në tokë, që më tregon ç’do të thotë të jesh e fortë dhe të kesh besim në vete. Je njësoj mama e mirë dhe e bukur sa mami jonë. Faleminderit që je shoqja ime më e mirë çdo ditë që kalon. Redia Faleminderit që je krahu im i djathtë, e di që më do po aq sa unë ty! Lidhja jonë nuk mund të ç’bëhet, e di që do të jemi gjithëherë të pandashme. Jam kjo që jam prej jush, të trejave ju!”

Advertisement