Me këngën “Botë”, këngëtarja Lindita Halimi korri duartrokitje në natën e parë të Festivalit Europian të Këngës, Eurosong 2017, që nisi mbrëmjen e djeshme në Kiev të Ukrainës.

Përfaqësuesja e Shqipërisë doli e katërta në skenë dhe u mbështet me dashamirësi nga të pranishmit, ndërsa përshëndetja e saj në shqip dhe anglisht ishte mbresëlënëse.

Advertisement

Por këngëtarja shqiptare nuk arriti të kualifikohet për në natën finale, duke i dhënë fund garës së saj, që në natën e parë të konkurrimit.

Në performancën e saj, Linda, krahas vokalit, shkëlqeu edhe përmes gurëve të shndritshëm në ngjyrë argjendi, të cilët zbukuronin veshjen e dizenjuar nga Joni Peçi, por pavarësisht të gjithave, nuk arriti të bindë publikun europian për ta votuar për në finale.

Edhe gjatë ditëve të provave në Kiev, këngëtarja shqiptare ka marrë vlerësime për potencën vokale. Më 11 maj është nata e dytë gjysmëfinale, ndërsa të shtunën është finalja e Eurovision.

Në një reagim në rrjetin social facebook, Linda Halimi u shpreh se “jam përgjithmonë mirënjohëse për këtë mundësi të jem në skenën gjigande të Eurovisionit”.  “Faleminderit të gjithëve për këtë eksperience të bukur! Kam kaluar për mrekulli ! Fat vitin tjetër Shqipëria ime”.