Qeveria pritet të miratojë në mbledhjen e radhës ligjin që fal rreth 90 miliard lekë borxhe të biznesit ndaj tatimeve dhe doganave.

“Detyrimet potencialisht për tu fshirë në total janë rreth 90 miliardë lekë. Unë besoj se ky ligj do të ndihmojë në formalizimin e sipërmarrjes dhe do të sjellë edhe të ardhura për buxhetin”, tha një ditë më parë ministri i Financave, Arben Ahmetaj gjatë një konference për shtyp.

Advertisement

Ligji fal plotësisht borxhet para vitit 2010, ndërkohë që i jep mundësi biznesit të përfitojë faljen e gjobave dhe kamatave nëse paguan detyrimin për borxhet nga 1 janari 2011 deri në 31 dhjetor 2014.

“Është një draftligji i punuar me shumë kujdes. kemi marrë opinione nga sipërmarrja e kemi konsistuar me FMN, kemi prekur ndjeshmëritë e sa e sa viteve”, vijoi më tej ministri.

Sipas Ahmetajt, kjo masë do të ndihmojë rimëkëmbjen e ekonomisë shqiptare, e cila në vlerësimin e kreut të financave publike është rikthyer në krye të rajonit.

Detaje të draftit:

Për biznesin:

Do të falen tatimet, interesat dhe gjobat e para vitit 2010, ndërsa nga viti 2011 deri në 2014- ën do të falen vetëm kamatat e gjobat dhe duhet të paguhen të plota taksat. Po ashtu do të falen edhe “supergjobat”, që u vunë në kohën e aksionit anti-informalitet.

Të gjithë ata që kanë deklaruar me vonesë deklaratat e sigurimeve, Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, të pasqyrave financiare apo destinimit të fitimit, mund të përfitojnë. Falen edhe gjobat e listëpagesave që ka vendosur sistemi. Në draft është parashikuar edhe afati kohor për të përfituar. Të gjitha deklarimet e padorëzuara duhet të mbyllen deri në fund të qershorit të këtij viti. Sipas draftit të hartuar nga Ministria e Financave, janë gjithashtu objekt i fshirjes sipas këtij ligji, detyrimet tatimore të mëposhtme, pavarësisht periudhës tatimore që i përkasin: dënimet administrative (gjobat) për dorëzim të vonuar të vendimit për destinimin e rezultatit dhe dorëzim me vonesë të pasqyrave financiare të aplikuara sipas ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar, të llogaritura deri në datën 31.12.2016; dënimet administrative (gjobat) për mosdeklarim në afat, për deklarata të padorëzuara, me kusht që çdo deklaratë e padorëzuar të dorëzohet deri në datën 30.06.2017.

Për drejtuesit e mjeteve:

Rreth 140 mijë pronarë mjetesh do të përfitojnë falje të plotë ose të pjesshme të detyrimeve që kanë pa paguar për mjetet e tyre. Përfituesit janë ndarë në dy kategori. E para është për pronarët e mjeteve, të cilët prej vitit 2000 deri në 2011- ën nuk kanë paguar asnjë taksë për mjetin dhe makinën e tyre duan ta nxjerrin nga qarkullimi. Pronarët e këtyre makinave do të përfitojnë falje të të gjitha detyrimeve, të taksave, gjobave dhe kamatave, por duhet që brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e faljes t’i drejtohen Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor për çregjistrimin dhe nxjerrjen nga qarkullimi të mjetit.

Ndërsa, pronarët e makinave që për të njëjtën periudhë, nga viti 2000 dhe deri në dhjetor të vitit 2011 nuk kanë paguar taksat dhe duan ta mbajnë në qarkullim mjetin, duhet të paguajnë vetëm taksat për të gjithë periudhën dhe përfitojnë falje të kamatave. Për makinat që kanë detyrime për taksa dhe gjoba pas janarit 2012, do të përfitojnë falje të gjobave vetëm në rast se kryhet pagesa e detyrimeve tatimore.